E dhimbshme dhe emocionuese, e kujton prindin që nuk e njohu kurrë

Prishtinë | 08 Pri 2019 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Gjilan – Sami Xhelili i riu tashmë është bërë 20 vjeçar, por e ka të vështirë ta pranojë faktin për humbjen e babait Samiut që ia masakruan paramilitarët serb më 5 prill 1999. Samiu i vogël i ka bërë një dedikim special babait që kurrë se njohu, kurse motra Hava i ka shkruar një poezi.

“20 vjet pa ty babë, allahu të mëshiroftë me xhenet babë. Është diçka që thuhet me lot edhe me fjalë, këto fjalë janë për ty babë nga unë i vetmi djalë.

Se di a ka ditë që kalon e nuk të kujtova, jeta zor pa ty po veç kurrë nuk u dorëzova.

Çdokush ma shumë se unë pat fat me nejt me ty, ngushëllime mos më thuani se me fjalë nuk ngihen këta sy”.

Vargu që shkroi Sami Xhelili i riu që ka trashëguar emrin e babait që kurrë se njohu të ngjallë emocione, të prek në palcë e shpirt kjo histori e dhimbshme, një histori që fatkeqësisht ka prekur mijëra familje kosovare.

Sami Xhelili është masakruar më 5 mars 1999 në fshatin Llovcë nga paramilitarët serb, derisa në atë kohë gruaja e tij ishte shtatzënë, që po priste të lind Samiu i riu.

“E kam të rëndë dhe të vështirë kur e kujtojë orë e qastë atë moment, atë ditë kobzezë që ma mori babain. Kurrë s`jam pajtuar, por edhe kurrë s`jam dorëzuar sepse dua që babain ta bëjë krenar dhe dua që ta kujtojë me shumë dashuri” rrëfen Samiu.

Samiu tani është 20 vjeçar dhe së bashku me motrën Arlindën që ka 22 vite mundohen të jetojnë jetën dhe të jetojnë me kujtimet e të tjerëve për babain e tyre.

Sami Xhelili ka qenë një djalë i urtë, i sinqertë, punëtor dhe i dashur për të gjithë. Kështu e përshkruajnë edhe ata që e kanë njohur qoftë në shkollën fillore ose edhe në jetën e përditshme.

Edhe motra e Samiut, Hava Xhelili e ndjen mallin dhe dhimbjen për vëllaun të cilit edhe ia ka kushtuar një poezi.”Na mungon shumë fytyra e tij, fjalët e tij, sjelljet e mira e të ëmbla. E kujtojmë me shumë pietet e mall të pashuar, kanë qenë vite të rënda për ne si familje dhe kemi jetuar ashtu siç kemi mundur. Është për keqardhje që shpejt i harruan viktimat e luftës dhe shpejt i harruan dëshmorët. Pos familjarëve askush tjetër ose fare pak janë përkujdesur dhe janë interesuar për fëmijët e Samiut” rrëfen Hava Xhelili.

Hava Xhelili është e befasuar me heshtjen e prokurorëve dhe hetuesve shqiptarë. “Asnjë hetues apo prokuror nuk na ka pyetur për masakrimin e vëllaut, nuk e di çfarë zemre kanë këta njerëz që i falin krimet e Serbisë. Është turp kombëtar që deri tani asnjë serb i dyshuar edhe pse janë emrat e ditur të serbëve të dyshuar, dhe askush nuk e ka marrë guximin me fillue hetime dhe me zbardhë krejt ngjarjen” shprehet Xhelili.

Hava Xhelili ka një lutje për Lutfi Hazirin.”Kujdesunu më shumë për rastet e tilla, për fëmijët jetim sepse edhe ata meritojnë një jetë normale dhe një shtëpi ose kulm mbi kokë” u shpreh Hava./rajonipress/

Poezia që Hava Xhelili ia ka kushtuar të vëllaut Samiut

Për vellain
A ka njeri ne ketë bot
dhimbjen time t’ma largon
sot vëlla pa ty
s`ka me jetë s`ka lumturi

Ditët shkojnë e javët po ecin
muajt vrapojnë e vitet s’ndalojnë
mërzia për ty sa vjen e shtohet
pa ty jeta vëlla si te jetohet

Me ka marr malli shumë për ty
t`i shoh ata sy
vij te varri po s’të shoh dot
vëlla sa e pa vlerë jeta sot
Thonë se motra digjet për vellan
dhe është shumë e vërtet
lus zotin çdo dit çdo natë
ne boten tjetër te na bashkoi prapë

Zemra s`ma pranonte
se sëmundja s`ka shërim
s`mund ta paramendoja jetën
pa ty o vëllai im
Kam dhimbje e mërzi
pikëllim e lot ne sy
do te kujtoj çdo herë me mall
deri sa te jem gjallë

Të ngjashme