Dy policë në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara janë shkarkuar nga puna, pasi e ndoqën figurën e Pokemonit në vend të plaçkitësve që po iknin, sipas dokumenteve të gjykatës.
Dy policët e kishin parkuar veturën zyrtare afër vendit të ngjarjes, kur për ta erdhi një thirrje përmes radios që të përgjigjeshin për një vjedhje në dyqan, shkruan BBC.
Megjithatë, nga rishikimi i pamjeve të kamerës brenda veturës vërehej se ata ishin duke e luajtur lojën “Pokemon Go” dhe vendosën që të ndiqnin një figurë që ishte afër në hartë, të quajtur Snorlax, që është kapje relativisht e rrallë, në vend se ta zbatonin kërkesën e kolegëve.
Policët kanë mohuar se kanë qenë duke luajtur, por u shkarkuan pas një hetimi.
Pasi e kishin injoruar thirrjen për të ofruar përkrahje, “për përafërsisht 20 minutat pasues, pamjet i paraqitën ankuesit duke diskutuar për Pokemonin përderisa po lëviznin me veturë nëpër vende të ndryshme ku krijesat virtuale qartazi shfaqeshin në telefonat e tyre”, thuhet në dokumentet zyrtare.
Policët Louis Lozano dhe Eric Mitchell ishin në patrullim, kur dyqani “Macy’s” ishte plaçkitur më 15 prill 2017. Një polic tjetër, i cili gjithashtu e kishte dëgjuar thirrjen, e pa dyqanin dhe një veturë tjetër policie të parkuar afër vendit të ngjarjes, thuhet më tej në dokumente.
Kolegët që i kishte parë polici nuk i ishin përgjigjur thirrjes, prandaj kapiteni Davenport ishte përgjigjur vetë. Ai e kishte parë veturën tjetër të policisë duke lëvizur prapa dhe duke u larguar nga zona.