Safet Hoxha, kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), tha se platforma elektronike E-Prokurimi nuk ka realizuar pritjet për luftimin e korrupsionit, raporton Ekonomia Online.
Edhe pse kur u proklamua kjo platformë u tha se dallimi mes prokurimit të deritashëm dhe atij elektronik është i madh, sepse ky i fundit siguron kursime, ka siguri më të madhe dhe qëndrueshmëri në procesin e konkurrimit.
Ai në Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ku raportoi Raportin Vjetor për vitin 2017, tha se duhet edhe masa të tjera për të luftuar korrupsionin, pasi që e-Prokurimi nuk realizon pritjet e KRPP-së për të luftuar atë.
“E-Prokurimi është mjet për me bë prokurim, nuk i realizon pritjet tona në luftë kundër korrupsionit, duhet me u shoqëru me masa të tjera”, ka theksuar ai.
Kjo pasi Lumir Abdixhiku, kryetar i komisionit, pyeti Hoxhën se: A e ul korrupsionin E-Prokurimi?
“A e ul korrupsionin E-Prokurimi? Si e shihni procesin e E-Prokurimit publik, kur do kalojmë plotësisht në prokurim publik, a është më transparent”.
Hoxha shtoi se këtë projekt e ka filluar Qeveria e kaluar, por edhe kjo aktualja po trajton me seriozitet këtë çështje.
“Projekti ka nis në qeverinë e kaluar, ka qenë përkushtim i qeverisë me instaluar këtë platformë, është vazhduar edhe në këtë fushë. Kosova sa i përket kësaj fushe është në mesatare me vende të BE-së, duke qenë para vendeve të rajonit në këtë fushë”.
“Pritjet tona janë: kanë me ul koston e ofertimit shumë, di të rris besueshmërinë; do të jetë në kohë reale i zhvilluar i gjithë procesi i prokurimit publik. 97% e të gjitha procedurave zhvillohen në E-Prokurim, 186 autoritete kontraktuese, 6003 operatorë ekonomikë. Numri i përdorueseve është 14 mijë, 17 mijë publikime janë bërë deri më tani”, ka thënë Hoxha.
Hoxha, ka theksuar se autoritetet që kanë realizuar vlerën më të madhe të kontratave janë KEK me 10 milionë e 500 mijë dhe Posta e Kosovës me 6 milionë.
“Numri i kontratave të nënshkruara është 10 mijë 214 kontrata publike, krahasim me 2016 ja rritje të kontratave për kontrata. Vlera e kontraktimeve në vitin 2017 është 354 milionë të kontraktimit qeveritar, 109 milionë nga kompani publike, 2 milionë për OJQ, 450 milionë gjithsejtë kontraktimi në vitin që lëmë pas”.
“Pjesëmarrja e vlerës së kontratave në raport me BPV ( Bruto Produkti Vendor) është 7,35% pa përllogarit vlerën e autostradës, 10,24% e GDP- së e shpenzuar përmes procedurave të prokurimit publik. 66% e prokurimit në autostradë janë punë, 8% shërbime, pa autostradë kjo vlerë ndryshon”.
“10% në shkallë të prokurimit e tenderëve janë marrë nga operatorët ekonomikë jo vendor, kjo është më e lartë se në vendet e rajonit”.
“95% e të gjitha procedurave janë zhvilluara mbi bazën e afateve të prokurimit publik, 4,96% e procedurave kanë pas afate të shkurtuara”.
“Autoritetet që kanë realizuar vlerën më të madhe të kontratave: KEK me 10 milionë e 500 mijë; dhe Posta e Kosovës me 6 milionë”.
Emine Fazliu, nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka vlerësuar pozitivisht raportim vjetor të KRPP-së.
“Gjendja te realizimi i buxhetit: KRPP e ka në një nivel jo të kënaqshëm, 82%, kemi suficit të mjeteve tek kategoria paga dhe mëditje rreth 60 mijë. Për shkak të mos realizimit të kontratës së E-Prokurimit publik, ekzekutimi i buxhetit është jo i kënaqshëm të jetë 77%”.