E trafikuan për shërbime seksuale gruan nga Istogu, Gjykata e Gjilanit i dënon me burgim dy persona

Prishtinë | 31 Jan 2023 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve B. H. dhe B. A., për kryerjen e veprës penale; trafikim me njerëz.

Të pandehurit, “gjatë vitit 2021 në bashkëveprim në dy lokacione të ndryshme në Motel në fshatin Domorovc, Komuna Ranilluk dhe në kafiterin në fshatin Dobërçan, Komuna e Gjilanit, e kanë trafikuar për qëllime të shfrytëzimit seksual të dëmtuarën A. H. nga Komuna e Istogut, duke e ditur gjendjen e saj të rëndë ekonomike-sociale, në atë mënyrë që e njëjta të ofroj shërbime seksuale me pagesë personave të ndryshëm”, njofton gjykata.

Me këto veprime, gjykata vlerëson se të pandehurit kanë kryer veprën penale trafikim me njerëz, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Trupi gjykues nga Departamenti Krimeve të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj dy të akuzuarve, duke i shqiptuar dënim burgu në kohëzgjatje prej 3 vjet dhe gjobë 300 Euro, për secilin veç e veç”, thuhet në njoftim.

Palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Të ngjashme