Ish-bashkëpunëtori i ngushtë i kolonel Ahmet Krasniqit, Hisen Berisha, në Info Magazine të Klan Kosovës ka shpalosur një rrëfim të veçantë.
Ai ka folur për deklaratën e presidentit Ibrahim Rugova lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që kishte bërë shumë bujë.
“Mbaj mend një artikull që thoshte, presidenti Ibrahim Rugova deklaroi “UÇK- dorë e zgjatur e UDB-së”.
“Dua të tregoj një rrëfim timin personal. Pas luftës, personalisht kam vizituar presidentin Ibrahim Rugova në Velani. Kam kërkuar takim dhe ka pranuar duke më nderuar shumë si luftëtar”.
“I kam thënë, pa aspak drojë, kam bërë disa pyetje por ndër to ishte edhe kjo ‘zotëri president, pse keni thënë “UÇK, dorë e zgjatur e UDB-së” ‘.
“Ai (Ibrahim Rugova) ka thirrur një emër të një zonje e cila erdhi dhe i tha t’i sillte një dosje që ai e kishte të koduar. Më tregoi dy artikuj, një që e kishte dhënë intervistën dhe e kishte nënshkruar dhe ku në hyrje në formë nëntitulli ishte ‘dyshoj se ka të infiltruar persona në UÇK që janë dorë e zgjatur e UDB-së’ dhe më tutje e shtjellon pastaj”.
“Më thotë këtë e kam nënshkruar unë, e kam autorizuar si intervistë dhe ja si është botuar, ishte botuar ky shkrim i tij me titull ‘UÇK – dorë e zgjatur e UDB-së’”.
Berisha ka thënë se koloneli Ahmet Krasniqi ishte për unifikim, pavarësisht mendimeve dhe qëndrimeve të ndryshme, që mund të ekzistonin.
“Këto ishin personat që u munduan të bëjnë diversion në strukturimin tonë dhe përgatitjet tona për luftë dhe ky ishte roli i Ahmet Krasniqit dhe të gjithë neve – që ta luftojmë këtë mision të dikujt dhe të arrijmë të jemi bashkë edhe me ata që ideologjikisht kanë pasë ndonjë dallim ose përkatësi”.
“Ahmet Krasniqi ka qenë promotor që ka luftuar për unifikim dhe që në asnjë bisedë nuk e ka ushqyer ndarjen dhe përçarjen”.
“Kemi arritur njësi të ndara të UÇK-së nëpër territore të ndryshme të gjitha t’i sjellim, i kemi stërvitur bashkë dhe kemi hyrë bashkë në frontin e Koshares”.