Projekti për “Regjenerimin Urban të brigjeve të lumit Lumbardh” në Qendrën Historike të Prizrenit, i filluar nga qeverisja e kaluar komunale është shoqëruar me shkelje të dispozitave ligjore, gjë që është konstatuar nga MKRS-ja. Përkundër kërkesës së kësaj ministrie që të pezullohen të gjitha veprimet deri në zbatimin e rekomandimeve të QRTK-së dhe miratimin e projektit, ish-Ekzekutivi komunal ka vazhduar realizimin e punimeve, ani pse ato më parë ishin ndaluar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Lidhur me këtë projekt, MKRS-ja përmes shkresës zyrtare ka njoftuar EC-in se ka obliguar DUPH-në që të pezullojë të gjitha veprimet deri në zbatimin e rekomandimeve të QRTK-së dhe miratimin e projektit.
“Në përputhje me dispozitat e Ligjit Nr. 04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit respektivisht proceduren e konsultimit të Ligjit Nr. 02/L-88 për Trashegimi Kulturore si dhe pas konsultimit me Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturor (KKTK), MKRS mbeshtet rekomandimin e KKTK-së dhe obligon – kërkon nga Komuna e Prizrenit përkatësisht Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor (DUPH) që të zbatojë të gjitha procedurat paraprake të shqyrtimit të kërkesës dhe projektit. Konfirmohet që në procedurë ka bërë shkelje të dispozitave të Ligjit Nr. 04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit duke filluar zbatimin e projektit bazuar në një aktvendim i cili i referohet vendimit të QRTK-së Prizren duke mos pasur vendim dhe paraprakisht DUPH Prizren duke mos përfillur rekomandimet e QRTK-së Prizren të dhëna më datë 28.06.2021. Komuna e Prizrenit përkatësisht Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor (DUPH) me veprimet e ndërmarra në procedurë nuk ka respektuar edhe pikat e Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruara më datë 01.04.2021 respektivisht pika 3 (paragrafi 3.1.4 dhe 3.1.7). Prandaj obligohet Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor (DUPH) Prizren që të pezullojë të gjitha veprimet deri në zbatimin e rekomandimeve të QRTK-së Prizren, dhe miratimin e projektit.”
EC Ma Ndryshe përkujton edhe një herë se sipas legjislacionit në fuqi për cdo ndërhyrje në infrastrukturën e Qendrës Historike të Prizrenit nevojitet pëlqimi i QRTK-së, dhe po ashtu se fillimi i punimeve në këtë projekt nga ish-Ekzekutivi komunal, në kohë fushate, pa pëlqimin e duhur të organit të trashëgimisë kulturore përbën edhe veprim jo-etik të zyrtarëve institucionalë.
Lidhur me projektin “Regjenerimin e Urave të Lumbardhit,” EC Ma Ndryshe ka reaguar edhe më parë: https://www.facebook.com/ecmandryshe/posts/4638266232954275
Duke e marrë në konsideratë zotimin e kryetarit të ri të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj se tani e tutje qeverisja e Prizrenit nënkupton sundim të ligjit, EC Ma Ndryshe i bën thirrje që në fillim të qeverisjes së tij ta rishikojë në tërësi projektin për “Regjenerimin Urban të brigjeve të lumit Lumbardh” të filluar nga ish-Ekzekutivi komunal me qëllim që në koordinim edhe me institucionet tjera përgjegjëse për trashëgiminë kulturore të ndërmerren masat për respektimin e ligjshmërisë në Qendrën Historike të Prizrenit.
EC gjithashtu përsërit thirrjen që organet shtetërore të ndërmarrin veprime që sigurojnë se në të ardhmen projektet e tilla realizohen në përputhje me dispozitat ligjore, me transparencë të plotë, me konkurs publik dhe me pjesëmarrje të qytetarëve.