ECHR: Lituania dhe Rumania bashkëfajtore në torturat e CIA-s

Prishtinë | 31 Maj 2018 | 15:35 | Nga

Gjyqtarët evropianë kanë vendosur se Lituania dhe Rumunia kanë shkelur të drejtat e dy terroristëve të dyshuar të Al-Kaidës, duke lejuar CIA-n t’i torturojë ata.

Shtetet e Bashkuara kishin arrestuar Abu Zubaydah dhe Abd al-Rahim al-Nashiri, pas sulmeve të 11 shtatorit më 2001 dhe tani gjenden në burgun, Guantanamo Bay.

CIA ka vepruar në burgje të fshehta në disa shtete, duke përfshirë Lituaninë dhe Rumaninë.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), ka thënë se dy shtetet kanë shkelur ligjin evropian për ndalim të torturës.

Ekzistenca e të ashtuquajturave “vendet e errëta” të CIA-s për marrje në pyetje, është mbajtur sekret për shumë vjet, pas sulmit të 11 shatorit.

Abu Zubaydah, palestinez i lindur në Arabinë Saudite, është thënë se ka qenë shef i rekrutimit në kuadër të Al-Kaidës në vitet 1990 dhe më vonë është bërë organizator kyç që ka lidhur Osama Bin Laden me rrjete tjera të Al-Kaidës.

Sipas inteligjencës amerikane, Abd al-Nashiri, i lindur po ashtu në Arabinë Saudite ka udhëhequr operacionet e Al-Kaidës në rajonin e Gjirit Arab.

Gjykata Evropiane ka thënë se njëri nga burgjet e CIA-s ka qenë në territorin e Rumanisë, ku Abd al-Nashiri është përballur me “regjim tejet të ashpër të burgimit”.

I njëjti vendim është shpallur edhe kundër Lituanisë, duke ngritur shqetësime për trajtimin e Abu Zubaydah në periudhën kohore 2005-2006.

Gjyqatarët kanë cituar dokumente të CIA-s, sipas të cilave të dyshuarit për terrorizëm janë përballur me izolim, përdorimin të vazhdueshëm të prangave në këmbë dhe ekspozim të tepruar ndaj zhurmës dhe dritës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme