Ecja nëpër akull e Lëvizjes Vetëvendosje

Prishtinë | 08 Jan 2018 | 16:40 | Nga

Subjekti më i madh opozitar në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, aktualisht po përballet me probleme të brendshme, përçarje e mospajtime.

Nga postet e larta drejtuese, tashmë kanë dhënë dorëheqje personalitete të njohura politike duke përfshirë kryetarin Visar Ymeri, nënkryetarin Dardan Sejdiu dhe anëtarë tjerë të këtij subjekti politik.

Dilemat aktuale janë nëse të ata që dhanë dorëheqje dhe mbështetësit e tyre do të rikthehen në parti apo do të vendosin të themelojnë një fraksion politik të veçantë, jashtë strukturave aktuale. Të dyja opsionet, po konsiderohen të vështira për ecjen më tutje të këtij subjekti politik, i cili viteve të fundit kryesisht ka qenë zëri më i fuqishëm opozitar në Kosovë.

Fatmire Kollçaku, nënkryetarja e vetme aktualisht e Lëvizjes Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se ka disa probleme në parti, por siç tha ajo, ato janë të kaluese.

“Nëse ka mosmarrëveshje ato duhet të diskutohet ballë për balle. Unë mendoj se ka shumë hapësirë që të tejkalohen përmes ofrimit të zgjidhjeve. Si çdo subjekt, që kohë pas kohe ka sfida, sidomos në kohën kur (subjekti politik) rritet shumë, mund të ketë mendime ndryshe, por unë mendoj se megjithatë, përmes bisedës së sinqertë mes bashkë- aktivisteve çdo gjë është e mundur dhe unë janë optimiste në ketë drejtim dhe besoj se gjithnjë ka mundësi që të tejkalohen mosmarrëveshjet dhe të vazhdojmë bashkë”, tha Kollçaku.

Përderisa kryetari i deritashëm i këtij subjekti politik Visar Ymeri kishte arsyetuar dorëheqjen e tij me pamundësinë e ndryshimeve brenda vetëvendosjes për shkak të dallimeve të mëdha, nënkryetarja Kollçaku, beson se nuk ka përçarje, por mospajtime. Ajo ka përjashtuar mundësinë e krijimit të fraksioneve.

“Në këtë moment unë nuk shoh fraksione. Unë ende besoj se janë mosmarrëveshje, por që janë të kalueshme dhe koha do ta tregojë”, tha Kollçaku.

Ndryshe, javën e kaluar, sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes në mbledhjen e Kryesisë së këtij subjekti politik është marrë vendim që të gjithë anëtarët që kanë dhënë dorëheqje nga Kryesia, të shqyrtojnë vendimin e tyre për t’u rikthyer.

Deputetja Albulena Haxhiu, në një postim në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar pikërisht rreth zhvillimeve brenda Vetëvendosjes.

“Gjatë kësaj kohe Lëvizja ka kaluar në periudha jo të lehta dhe qytetarët në forma të ndryshme na kanë shprehur shqetësimet e tyre mbi atë çfarë po ndodhë në Lëvizje. Meqë jemi duke kaluar këtë periudhë jo të lehtë, është e qartë se sfidat nuk rregullohen duke hequr dorë, por duke u angazhuar drejtpërdrejtë e aktivisht”, ka shkruar pos tjerash Haxhiu.

https://www.facebook.com/hapeporten/posts/1705110822893035

Në anën tjetër, analistët politikë konsiderojnë se problemet e brendshme të cilat e kanë përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje, janë të mëdha dhe se sipas tyre, ato e kanë dëmtuar në masë të madhe këtë subjekt politik.

Analisti Artan Muhaxhiri, vlerëson se procesi i çarjes, siç e quan ai në Lëvizjen Vetëvendosje, ka kaluar në një fazë serioze. Ai thotë se përmirësimi ose kthimi i gjendjes së mëhershme është i pamundur.

“Nga asnjëri tabor nuk ka vullnet për kompromis, sepse të dyja palët këmbëngulin në qasjen e tyre të vazhdimësisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe për fat të keq të Lëvizjes Vetëvendosje, duket se kjo çarje do të thellohet deri në ndarjen përfundimtare”, tha Muhaxhiri.

Në cilëndo formë, thotë Muhaxhiri, Vetëvendosje është dëmtuar dhe ajo do të ketë shumë punë për të përmirësuar imazhin negativ që e ka shfaqur kohëve të fundit.

“Në momentin kur problemet fundamentale dalin në publik, atëherë kjo e ndryshon edhe perceptimin e përgjithshëm, por edhe i zvogëlon mundësitë për përafrim dhe kjo ka ndodhur në Lëvizjen Vetëvendosje. Të gjitha këto beteja publike kanë një kosto të madhe dhe kjo do të jetë kështu edhe nëse ndahet Vetëvendosje, edhe nëse kthehen të pakënaqurit”, tha ai.

Përplasjet në Vetëvendosje, dolën në sipërfaqe pas publikimit të bisedave private mes disa deputetëve të këtij subjekti politik, ku kishte edhe shprehje fyese në drejtuara ndaj Albin Kurtit.

Nga postet e larta drejtuese të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dhënë dorëheqje ish-sekretari organizativ Dardan Molliqaj, pastaj Aida Dërguti si dhe kryetari i saj, Visar Ymeri dhe nënkryetari Dardan Sejdiu.

Vetëvendosje, tashmë ndodhet në procesin e brendshme zgjedhor. Deri me datën 10 janar është kohë e paraparë për t’u paraqitur kandidaturat e të interesuarve për kryetar të partisë.

Deri me tash, sipas zyrtarëve në Vetëvendosje, është paraqitur vetëm një kandidaturë për kryetarin e ardhshëm, dhe ajo është kandidatura e Albin Kurtit, njërit prej themeluesve kryesorë të këtij subjekti politik.

Të ngjashme