EdGuard vlerëson që mos vazhdimi i anëtarësimit në ENQA paraqet rezultat të kapjes së AKA-së nga politika dhe grupeve të interesit të ndërlidhura me politikën dhe bartës të arsimit të lartë.
Sipas kësaj organizate që merret me monitorimin e sistemit të arsimit në Kosovë, emërimet dhe shkarkimet politike të KSHC-së kanë shoqëruar këtë institucion qysh nga themelimi.
“Janë pikërisht këto emërime dhe punësime që kanë kontribuuar në paaftësi institucionale të AKA-së për të plotësuar kriteret e ENQA-së. Përgjigja nga ENQA vë në pah mangësitë procedurale dhe operative të AKA-së në sigurim të cilësisë në arsimin e lartë në vend. Mungesa e pavarësisë së institucionit ka rezultuar me keqadministrim dhe keqpërdorim të procesit të akreditim për tashmë vite me radhë”, thuhet në reagimin e EdGuardit.
Në reagimin për media thuhet gjithashtu përkushtimi i vetëm i AKA-së ai i plotësimit të tre doktorëve të shkencës për program nuk është diçka që domosdoshmërisht garanton sigurim të cilësisë në arsimin e lartë – gjë që u dëshmua nga ky vendim i ENQA.
“Shpresojmë shumë që në mandatin e ri të Kuvendit qysh në fillim me prioritet të vihet miratimi i Ligjit për Arsimin e Lartë – i paraprirë nga një debat gjithëpërfshirës, në veçanti për mekanizmat që do të mund të garantonin pavarësi të AKA-së”, thuhet në reagimin nga kjo OJQ.