Ministria e Administratës Publike këtë vit do të përfitojë nga Bashkimi Evropian (BE) edhe 20 milionë euro, mjete këto të cilat do të përdoren për zbatimin e reformave për tri vjet deri sa në këto të fundit është duke u punuar mjaft.
Ministri në detyrë i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se mjetet që nevojiten për reformim në administratë deri tani nuk janë të mjaftueshme, duke thënë se sivjet do të përfitojnë nga BE-ja edhe 20 milionë euro, të cilat do të shfrytëzohen për tri vjet.
“Mjetet nuk janë të mjaftueshme në këtë aspekt, ne në këtë vit do të realizojmë edhe një kontratë me Bashkimin Evropian për mbi 20 milionë euro për Administratën Publike dhe zbatimin e reformave, por ekziston nevoja për përkrahje”, ka thënë ai.
Ministri në detyrë Yagcilar ka treguar edhe për reformat që janë duke i ndërmarrë në administratë dhe se çfarë janë duke punuar në këtë periudhë.
“Duke u punuar në teknologjinë informative për shërbime online është duke u punuar në menaxhimin e burimeve njerëzore që të kemi sa më efikas një shërbim civil por gjithashtu jemi duke punuar edhe në ligjet që të jenë të përafruar me ato standardet evropiane ndoshta e keni dëgjuar janë në fazën e hartimit të ligjeve si ligji për pagat, ligji për organizimin e Administratës Publike dhe plotësim ndryshimi i ligjit civil i cili duhet të tejkalojë këto pengesa të cilat i kemi pas deri tash. Besojmë se me aprovimin e këtyre ligjeve, me përkrahjen financiare dhe me këto përgatitje do të jemi prapë në regjion në nivelin e duhur dhe do të kemi një shanc që sa më shpejtë edhe në kuadër të Administratës Publike vlerësohemi pozitivisht nga Komisioni Evropian”, ka thënë ai.
Yagcilar është i bindur se me reformat që do të ndodhin në Administratë Publike do të jemi në nivel të regjionit dhe afër Bashkimit Evropian, raporton EO.
“Njerëzit mund të jenë të politizuar por administrata nuk është e politizuar janë ligje të sakta, të qarta si duhet të zbatohen. Gjatë kësaj kohe kemi evidentuar edhe mangësitë edhe pengesat sa i përket zbatimit të ligjeve kështu që do të bëhen edhe plotësime dhe do të kemi një dinamikë të vazhdueshme, reforma të vazhdueshme duke u bazuar në standarde të përcaktuara nga Komisioni Evropian jo vetëm për Kosovën por edhe për shtetet tjera në regjion si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe besojmë se me zbatimin edhe reformimin në Administratë Publike do të jemi në nivel të regjionit por gjithashtu do të jemi shumë më afër Bashkimit Evropian edhe nga aspekti i Administratës Publike”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se shërbyesit civil në vend janë duke i zbatuar ligjet e vendit e jo mendimet politike.