Reforma zgjedhore, nevojë e pashmangshme

Prishtinë | 24 Shk 2020 | 10:22 | Nga Ekonomia Online

Reforma zgjedhore në Kosovë është diskutuar për një kohë të gjatë dhe është vlerësuar si nevojë e pashmangshme nga faktorët politikë vendorë dhe ndërkombëtarë. Pavarësisht se për këtë çështje debatet kanë nisur vite më parë, reforma e shumë pritur ende nuk ka ndodhur.

Analistët vlerësojnë së klasës politike në Kosovë nuk po i pëlqen që të ketë një sistem të ri zgjedhor. Ata thonë se reforma zgjedhore duhet të ndodhë dhe se ajo duhet jetë prioritet i qeverisë së re.

Analisti i politikës, Mazllum Baraliu, tha për Radio Kosovën se vendit i duhet një reformë e re zgjedhore. Ai tha se klasës politike në Kosovës nuk i pëlqen reforma zgjedhore për shkak se i humbasin privilegjet që i kanë në sistemin dhe legjislacionin e tanishëm zgjedhor. Sipas tij, kjo është arsyeja kryesore pse ky proces nuk është shtyrë tutje.

“Prandaj ndër detyrat prioritare të kësaj qeverie do të duhet të ishte përgatitja e një platforme të re dhe një koncept dokument, e më vonë një projekt kodi zgjedhor për ta diskutuar në nivele lokale, qendrore dhe institucional që të bëhen ndryshime rrënjësore. Legjislacioni i tanishëm ka dështuar edhe në zgjedhjet e fundit dhe do të duhej bërë reformë e re zgjedhore në Kosovë sa më parë.”

Edhe analisti tjetër politik, Blerim Burjani, konsideron se është i domosdoshëm fillimi i procesit të reformimit të sistemit zgjedhor.

“Në kuptim legjislativ reforma zgjedhore duhet të ndodhë veçmas ne segmentin e numërimit të votave dhe mekanizmave të tjerë. Dhe natyrisht duhet të depolitizohet KQZ, sepse kohet e fundit kanë ardhur njerëz të rinj që fare nuk kanë lidhje me këtë punë”, tha Burjani.

Mirëpo Burjani shton se kjo reformë do të jetë vështirë të ndodhë, pasi që sipas tij, partitë politike janë ambientuar në këtë sistem dhe po u konvenon që të ketë anarki më të madhe në procesin e zgjedhjeve. Ai tha se nevojitet vullnet politik për të shtyrë këtë çështje përpara, jo vetëm i partive në pushtet por i të gjitha partive të tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme