AP: Reagimet pas zgjedhjeve lokale në Kosovë

Prishtinë | 16 Nën 2021 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet komunale në Kosovë edhe një herë kanë dëshmuar se asgjë nuk është e sigurt në politikën e vendit, thotë Associated Press.

Partia qeverisëse e krahut të majtë Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti fitoi vetëm katër komuna – padyshim një goditje e madhe për partinë që fitoi më shumë se gjysmën e votave në zgjedhjet parlamentare.

Analisti politik Behlul Beqaj thotë se rezultatet janë të mira në kuptimin e balancës mes qeverisjes lokale dhe asaj qendrore.

“Nëse Albin Kurti do të fitonte shumicën e komunave, ose në qytetet e mëdha, ka ekzistuar rreziku i absolutizmit të pushtetit të Albin Kurtit. Kështu që janë krijuar disa parakushte të mira për demokratizimin e procesit të shoqërisë ku besoj se edhe opozita edhe Albin Kurti do ta kuptojnë se është momenti i racionalizimit se bashkëpunimi është ai që do t’i sjellë suksesin edhe pozitës edhe opozitës”.

Uran Basholli, banor i Prishtinës i konsideron këto ndër zgjedhjet më të mira.

Kjo është hera e dhjetë që votoj në zgjedhje lokale dhe mendoj se këto janë zgjedhjet më të mira ndonjëherë sepse në këto zgjedhjet e fundit kemi pasë kandidatë shumë seriozë dhe mendoj se të gjitha rezultatet janë të mira, pavarësisht se kush fiton. Në këto zgjedhje fitoi Përparim Rama por nuk ka rëndësi. Më duket një kandidat shumë i mirë për Prishtinën”.

Mendim të ngjashëm ka edhe Lorik Knusi, banor i Prishtinës, i cili është edhe kërkues ndaj kryetarit të ri.

“Rezultatet ishin korrekte, njerëzit kanë votuar dhe kanë dhënë mendimin e tyre. Për kryetarin e komunës besoj se duhet të punojë më shumë dhe t’i mbajë premtimet”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme