Shkrimtari Agim Vinca është emri tjetër që refuzon të dekorohet nga Presidenti Hashim Thaçi për nder të 10-vjetorit të Pavarësisë. Vinca thotë se nuk është lajmëruar nga askush prej Presidencës se është në listën e dekoruarve. Sipas shkrimtarit, kjo tregon joseriozitetit të personave përgjegjës.
Refuzimi i Vinces i shtohet listës prej dhjetëra personaliteteve që nuk pranuan të dekoroheshin nga Presidenti Thaci.
Ky është shkrimi i plotë i Vincës në Facebook:
KOSOVA PO VDES MORALISHT
(Dekoratat e 10-vjetorit të Pavarësisë)
Në disa portale në Kosovë këto ditë ka qarkulluar një listë me emrat e individëve dhe të institucioneve, të cilat Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kishte marrë vendim t’i nderonte me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Nga miq dhe të afërm të mi mësova se në këtë listë, në mesin e shumë personaliteteve të tjera, gjendet edhe emri im.
Prita që lidhur me këtë vendim të njoftohesha zyrtarisht, siç e do rendi, nga kabineti i Presidentit të Republikës, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Nuk e di si është vepruar me të tjerët, por unë deri në këtë çast nuk kam marrë as njoftim me shkrim, as telefonatë, as ftesë për ceremoninë e dorëzimit të dekoratës, asgjë.
Besoj se kjo është arsye e mjaftueshme për të mos e marrë shumë seriozisht këtë punë.
Nga ana tjetër, sjellja e këtillë tregon seriozitetin, në të vërtetë joseriozitetin e institucioneve tona shtetërore dhe të njerëzve që janë në krye të tyre, të cilët duket asnjë pune nuk i qasen me përgjegjësinë dhe seriozitetin e duhur.
Kështu, në mënyrë joserioze e të papërgjegjshme, ata e kanë drejtuar edhe vendin gjatë këtyre dhjetë viteve që lamë pas, duke degraduar gjithçka: ekonominë, arsimin, shëndetësinë, kulturën, artin, shkencën dhe duke e zhytur vendin në korrupsion, nepotizëm e varfëri.
Me udhëheqës të tillë, që nuk janë shtetarë, por pushtetarë, Kosova jo vetëm që stagnon në ndërtimin e shtetësisë së saj, por, për më keq, po vdes moralisht.
Dalzotësit e Kosovës sot janë bërë zotër të saj dhe sillen me të si të ishte pronë e tyre private.
Me keqardhje, Agim Vinca