Edhe “Daily Mail” shkruan për sulmin ndaj të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë

Prishtinë | 03 Nën 2022 | 09:27 | Nga Ekonomia Online

Gazeta britanike“Daily Mail”ka shkruar për sulmin ndaj të moshuarës që ndodhi në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë.

Pamjet se si infermieret sulmuan një të moshuar me Alzheimer bën bujë.

Tri infermiere u arrestuan në lidhje me rastin.

“Ky është momenti shokues kur një e moshuar në një shtëpi të pleqve në Kosovë goditet me shuplakë vazhdimisht nga një infermiere. Në video që është shpërndarë në rrjete sociale, punonjëse e shtëpisë së pleqve ‘Orenda’ në Pejë, mban duart e të moshuarës dhe e godet me shuplakë disa herë. Shihen dy gra tjera në video dhe një tjetër duke filmuar – që dëgjohet duke qeshur me zë ndërsa koleget e saja sulmojnë të moshuarën”, ka shkruar “Daily Mail”.

Policia e Kosovës reagoi menjëherë pas publikimit të videos duke arrestuar tri të dyshuara, ndërsa ka pasur reagime edhe nga krerët e shtetit.

Ndërkohë familjarët të mërkurën pasdite e tërhoqën gruan e moshuar nga shtëpia e pleqve.

Ndërkohë në rrjete sociale videoja është shpërndarë edhe nga disa serbë, të cilët kanë propaganduar duke thënë se “një infermiere në Pejë po e sulmon një grua të moshuar serbe në shtëpi të pleqve”.

Të ngjashme