Koronavirusi ka prekur rëndë përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Javën e kaluar pozitiv në testimin për COVID-19 doli selektori Bernard Challandes. Lojtarët ishin testuar disa herë, por rezultati doli negativ, ndonëse kishte simptoma te disa prej tyre.
Por situata po del të jetë më ndryshe pas kthimit të lojtarëve në vendet ku luajnë.
Të premten mediat italiane njoftuan se Amir Rrahmani është me koronavirus. Ai është testuar pas kthimit te Napoli.
Ndërkohë edhe Torino njoftoi se dy lojtar të kësaj skuadre, që ishin në përfaqësuese, kanë dalë pozitiv për koronavirus. Njëri prej tyre është mbrojtësi i djathtë i Kosovës, Mërgim Vojvoda. Te Torino luan edhe kapiteni i Kosovës, portieri Samir Ujkani.
“Po, kam pranuar rezultat pozitiv në testin për COVID-19”, ka konfirmuar Vojvoda për KOHËN.