Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Organizatën e Evropës Lindore për Anti Doping (EERADO), kanë organizuar për herë të parë seminarin me temën: “Sporti i Pastër”, i cili u mbajt në Hotel Swiss Diamond në Prishtinë. Pjesëmarrës ishin mjekë, trajnerë, sportistë të federatave, si dhe nxënës e studentë të mjekësisë.
Ligjërues nga EERADO ishin drejtuesit e kësaj organizate, drejtori gjeneral Teimuraz Ukleba dhe menaxherja, Tamar Svanishvili, ndërsa nga KOK-u ishte anëtari i Komisionit Mjekësor të KOK-ut, Gëzim Murseli, kurse nga Shqipëria ishte koordinatorja në Ministrinë për Edukim dhe Sport, Violeta Shqevi.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, në fjalën hyrëse u kumtoi të pranishmëve lajmin se tani e tutje edhe Kosova e ka organizatën e saj për Anti-Doping.
“Duam t’ju kumtojmë lajmin se në Kosovë filloi implementimi i luftës kundër dopingut në sport, respektivisht themelimi i organizatës për Anti-Doping në Kosovë, me të cilën po iu bashkohemi 206 shteteve që e kanë këtë organizatë”, tha ndër të tjera Presidenti Hasani.
Drejtori i EERADO-s, Teimuraz Ukleba, duke uruar Kosovën që i është bashkuar luftës kundër dopingut, foli edhe për anëtarësimin e Kosovës në EERADO.
“Me përpjekjet e KOK-ut, në krye me Presidentin Besim Hasani, janë bërë përpjekje të mëdha për t’u anëtarësuar Kosova në EERADO dhe krahas kësaj ne tanimë kemi edhe anëtarin e KOK-ut në Bordin e EERADOS”, theksoi Ukleba, duke shtuar se në Kosovë ka ekspertë të përgatitur në luftën kundër dopingut.
Anëtari i Bordit të EERADOS është Avni Nuha, kryetar i Komisionit Mjekësor në KOK. Anëtari i këtij Komisioni, Gëzim Murseli, duke vlerësuar lart organizimin e seminarit, foli për rëndësinë që ka implementimi i luftës kundër dopingut në Kosovë, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në EERADO.
I pranishëm në seminar ishte edhe Drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj, i cili në fjalën e tij tha se seminaret e tilla mundësojnë ndarjen e përvojave, dhe marrjen e informatave të reja që ndodhin në zhvillimin e sportit, në këtë rast të anti-dopingut, që është shumë i rëndësishëm në zhvillimin e fair-playt.
Për substancat dhe metodat e ndaluara bazuar në listën e WADA-s, foli specialisti i Mjekësisë Sportive, Bernard Tahirbegolli.
Një ditë më parë u mbajt edhe trajnimi për Ngritjen e Kapaciteteve të Anti-Dopingut, ku pjesëmarrës ishin nxënës dhe studentë të mjekësisë.