Edhe pse skandali Dieselgate për Volkswagenin është ende i freskët, një markë e cila është nën pronësi të kësaj kompanie është duke u hetuar prapë nga Byroja Gjermane e Veturave (KBA), për “manipulime në motor”
Kësaj radhe është Porsche ajo e cila sipas raportimeve të fundit është duke u hetuar nga Byroja Gjermane e Veturave për manipulime, transmeton koha.
Sipas një raporti të Reuters, i cili citon autoritetin e veturave të këtij shteti, ky hetim përfshinë motorët me benzinë të prodhuar nga Porsche para vitit 2017 për tregun Evropian.
Porsche është duke mbështetur këtë proces ndërsa ka nisur hetimet e saja të brendshme, sipas reuters, ndërsa thuhet se modelet e reja të kësaj kompanie nuk janë prekur.
Sipas gazetës gjermane bild, motorët që po hetohen janë prodhuar ndërmjet viteve 2008 dhe 2013 për modelet 911 dhe Panamera. Manipulimi përfshinë modifikime softuerike dhe hardverike, të cilat prekin sistemin e shkarkimit të gazrave dhe manipulojnë testet e emitimit të gazrave.
Gjatë vitit të kaluar, Porsche ka nënshkruar një marrëveshje prej 630 milionë dollarësh me prokurorët Gjerman, për përdorim të softuerit për manipulim të emitimit të gazrave me motorët me naftë.