Deputetët të enjten debatuan gjatë për ndaljen e trenit serb, për cilësinë e arsimit në Kosovë dhe për arrestimin e aktivistëve të “Vetëvendosjes”. Ai rëndomë debati kaloi me shumë zhurmë e me pak rezultate
Seancat e gjata që fillojnë në mëngjes e përfundojnë në orët e vona të mbrëmjes janë bërë të zakonshme tashmë në Kuvendin e Kosovës.
Një e tillë u zhvillua edhe të enjten, që në rend dite kishte nëntë pika.
Çështja e ndaljes së trenit dhe muri në veri të Ibrit ishin tema kryesore me të cilat filloi seanca, me ç’rast deputetët e opozitës kanë thënë se Qeveria e Kosovës nuk po bën mjaftueshëm për ta futur në kontroll të plotë veriun”.
Gjithashtu në këtë seancë është debatuar edhe për arrestimin e aktivistëve të “Vetëvendosjes” nën dyshimet për “Përfshirje në sulmin ndaj Kuvendit”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë po orkestrojnë spektakle.
Sipas tij, zmbrapsja e trenit i ka hedhur poshtë dy qëndrime të vazhdueshme të qeverive të pasluftës në Kosovë.
“…E këto janë se së pari nuk kemi kapacitete për të vendosur sundim të ligjit dhe rendit në veri të Kosovës. Dhe së dyti se nëse përpiqeni t’i çojmë forcat e sigurisë në veri të Kosovës atëherë do të na dalë kundër bashkësia ndërkombëtare. Këto i kam dëgjuar në secilin debat, me secilin zyrtar politik… Treni tregoi se mungesa e sundimit të ligjit dhe rendit në veri nuk paska qenë mungesë e gatishmërisë, guximit apo profesionalizmit të institucioneve tona të sigurisë. E as nuk paska qenë pengesë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar Konjufca, duke thënë se mungesa e institucioneve të Kosovës atje dhe prania e plotë e Serbisë në veri po del se paska qenë më së shumti mungesë e vullnetit dhe strategjisë nga ana e udhëheqësve të Kosovës.
Për më tepër, deputeti i “Vetëvendosjes” ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë po orkestrojnë spektakle. “Qeveria jonë me Serbinë po orkestron dhe po koordinon spektakle.
Si është e mundur që muri të mos ndalet dhe treni që u nis nga Beogradi të ndalet”, ka shtuar Konjufca.
Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se duhet të ndërpritet ky lloj dialogu me Serbinë derisa ajo nuk tërheq fletarrestimet ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës