Edhe pas një viti nga shkarkimi i Dedajt, ambasada në Shkup mbetet në duart e burrit të Vjosa Osmanit

Prishtinë | 20 Maj 2022 | 23:20 | Nga Ekonomia Online

Ish-ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj ka thënë se janë bërë një vit nga shkarkimi i tij nga kjo pozitë dhe se Maqedonia e Veriut ende nuk ka përfaqësues atje.

Dedaj në ATV ka thënë se në kohën kur u bë shkarkimi ishte premtuar se do të emërohet ambasadori i ri brenda pak javësh.

“Atëherë (kur u bë shkarkimi) thanë se brenda disa javësh do të emërohet ambasadori i ri në Kosovë dhe sot u bënë një vit, në Shkup nuk ka ambasador të Kosovës, nuk ka përfaqësim të rangut të lartë shtetërorë në Maqedoninë e Veriut dhe Shkupi është 30 minuta larg”, ka thënë ai.

Dedaj ka shtuar se shkarkimi i tij u bë për arsye politike dhe se ishte hakmarrje, sipas tij, nga rivalët politikë, përcjell Demokracia.com.

“Arsyeja e shkarkimit është hakmarrje, e porositur mbi qarqe jo shumë demokratike, nuk dua të hyj në ato detaje, më vonë do t’i themi edhe ato sepse kemi informacione. Shkarkimi ka qenë hakmarrje, nga rivalët politikë, që me ardhë me pompozitet nga rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit”, ka thënë ai.

Vlen të theksohet se pozitën që dikur e kishte Dedaj, tani e ushtron Prindon Sadriu.

Ky i fundit, është bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani dhe disa herë është përfshirë në debate të ashpra me media, duke i akuzuar se janë “grup i përbashkët kriminal”.

Para disa muajve u emëruan disa ambasadorë nëpër vendet ku ishin shkarkuar të tjerët, por njëjtë nuk ka ndodhur edhe në Maqedoninë e Veriut.

Të ngjashme