Kryeparlamentari i Shqipërisë, Gramoz Ruçi, vlerëson se vetëm një marrëveshje që siguron karakterin multietnik dhe multifetar të Kosovës, është rruga e vetme për normalizimin e raporteve më Serbinë.
“Diskutimet në fazën finale duhet të konfirmojnë arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin multietnik dhe multifetar siç parashihet edhe në Kushtetutë. Kjo është rruga e vetme për vendosjen e raporteve të reja mes Kosovës dhe Serbisë,” është shprehur Ruçi, pasi ka pritur në takim kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, raporton EkonomiaOnline.
LEXO Edhe: Veseli: Nuk mund ta dëmtojë Vuçiqi sovranitetin e Kosovës
Ai u ka bërë thirrje protagonistëve të dialogut, që të sigurohet zgjidhje në interes të Kosovës.
“Presim dhe inkurajojmë aktorët e përfshirë që kjo zgjidhje te jetë e drejte e pranueshme dhe në interes të Kosovës dhe rajonit”.
“Ne këtë situatë aktorët dhe forcat politike të Kosovës duhet të jenë unike pasi ka shumë çështje që ato i ndajnë, lufta për pushtet, por këtu bëhet fjalë për shtetin”.
Sipas tij, Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë mbështetëse pa rezerva e dialogut, gjithmonë i iniciuar e i ndërmjetësuar nga BE, raporton EO.
Gjatë vizitë së tij në Tiranë, kryeparlamentari Veseli takimin e parë e ka mbajtur me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, ndërsa gjatë ditës do të takojë edhe presidentin Ilir Meta, kryetarin e Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Rexhep Meidani.