Edhe sonte do të mbahet “Protestë n’Ballkon”, e thirrur nga Replike.
Shumë qytetarë të Prishtinës mbrëmë nga ora 20:00 kanë dalë në ballkonet edhe tyre dhe në shenjë revolte kanë krijuar zhurmë në shenjë pakënaqësie me papërgjegjësinë e partive politike dhe institucioneve në kohën kur vendi dhe bota po përballen me pandeminë e Coronavirusit.
Ata për pesë minuta me tenxhere, tiganë e gjëra metalike, duke i goditur kanë shfaqur pakënaqësinë lidhur me situatën e krijuar në skenën politike, raporton Ekonomia Online.
Njoftimi i plotë i organizatorëve:
Te nderuara media,
Falemnderit shume per mbulueshmerine e protestes mbreme. Replike po vazhdon edhe sonte me proteste me te njejten metode nga ora 20:00.
Qytetarët e Republikës së Kosovës kurrë nuk kanë qenë më të revoltuar se tash, andaj ne do të vazhdojmë me natën e dytë të #protestojmënballkon duke i’u drejtuar skenës politike se qytetarët dhe përgjegjesia publike duhet të jetë interesi parësor dhe i vetëm. Kërkojmë që krerët e koalicionit qeverisës, Presidenti dhe partitë opozitare të bashkohen për mobilizim të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe jo të fokusohen në interesat partiake dhe personale të tyre.
Më 20 mars, përmes daljes të secilit prej neve në ballkon ose dritare në ora 20:00 për 5 minuta në të gjithë qytetet dhe fshatrat e Kosovës po krijojmë zhurmë me mjete të ndryshme të cilat nuk janë të rrezikshme si (çelësa ose tenxhere dhe lugë), për të kërkuar reflektim nga të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit institucional në Kosovë ndaj situatës së krijuar dhe panikut që është duke e përjetuar çdo shtetas në Kosovë.