Edicioni 2019\2020 ka qenë i vështirë për të gjithë sportistët, për shkak të ndërprerjes së gjatë si pasojë e koronavirusit. Por për yllin shqiptar të futbollit, Xherdan Shaqiri, ky mund të jetë edicioni bindshëm më i vështirë në karrierë.
Futbollisti i Liverpoolit ka munguar thuajse tërë edicionin për shkak të lëndimeve. Dhe lëndimet nuk po i ndahen ende. Derisa shumë sportistë kanë sanuar lëndimet gjatë tre muajve të pushimit të detyrueshëm, Shaqiri nuk ia ka dalë të bëjë këtë. Ai do të vazhdojë t’i mungojë Liverpoolit, që është pranë titullit të parë të Anglisë në 30 vjetët e fundit.
Reprezentuesi i Zvicrës do të mungojë të paktën edhe në ndeshjen e së dielës ndaj Evertonit.
Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp ka konfirmuar këtë të shtunën. Shaqiri nuk ka luajtur që nga janari për shkak të një lëndimi në pulpë.
“Ai ishte i lënduar dhe ai nuk është i gatshëm. Por është në rrugë të mirë”, ka treguar Klopp. Shaqiri është lojtari i vetëm aktualisht i lënduar te Liverpooli.
“Shaqiri ka stërvitur, por jo kohë të madhe me pjesën tjetër të skuadrës. Ai nuk do të jetë jashtë për kohë të gjatë, por aktualisht është i vetmi që është jashtë’, ka shtuar trajneri gjerman.
Shaqiri këtë edicion i ka luajtur vetëm dhjetë ndeshje. Ka një gol në Premier League. Në kampionatin anglez i ka luajtur gjashtë ndeshje këtë edicion. Në fakt ky është pritur të jetë edicioni i shpërthimit të Shaqirit. Por lëndimet nuk e kanë lënë të bëjë këtë. Tashmë ka raporte të shumta për largimin e Shaqirit në këtë verë nga Liverpooli.
Ai ka luajtur dy ndeshje kampionale në gusht e shtator, kurse tri ndeshje tjera i luajti në dhjetor. Më 11 janar është aktivizuar fare pak ndaj Tottenhamit.