Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në bashkëpunim me Child & Youth Finance International, Europian Fund for Southeast Europe dhe Shoqatën e Bankave të Kosovës, ka mbajtur sot takimin e tretë të Grupit rajonal të punës për edukimin financiar të të rinjve dhe përfshirjen financiare për Evropën Juglindore.
Në takim janë prezantuar zhvillimet në fushën e edukimit financiar, përfshirja financiare dhe mbrojtja e konsumatorit nga të gjitha vendet pjesëmarrëse si Turqia, Kroacia, Sllovenia, Rumania, Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi.
Gjithashtu janë prezantuat zhvillimet e fundit nga Organizata Child & Youth Finance International (CYFI), Fondi Evropian për Evropën Juglindore EFSE, Ekspert nga Mastercard nga Belgjika.
Shkëndije Himaj, koordinatore funksioneve të përgjithshme në BQK, tha se një ndër qëllimet e tyre është edukimi financiar, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se duhet ti kushtohet vëmendje zhvillimit të hovshëm teknologjik i cili është duke ndodhur.
“Një ndër qëllimet e BQK është nxitja e zhvillimin e shëndosh edukimit financiar. Edukimi financiar është objektivë e BQK së por sa kemi arritur ta realizojmë këtë objektivë. Mendimet tona lidhur me edukimin financiar në funksion te stabilitetit financiar dhe kjo është thelbi i ndërtimit të besimit që pa të nuk mund të ketë stabilitet. Edukimi financiar në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve është objektivi ynë”.
“Dimensioni i gjithëpërfshirës financiare shërbimet dhe produktet e sistemit financiar ndihmon qytetarët që në mënyrë të efektshme ti përdorin shërbimet financiare. Qytetarët duhet të kërkojnë informata dhe duhet të ngrenë zërin nëse ndeshen me probleme. Ne duhet të jemi të vëmendshëm për dimensionin e zhvillimit teknologjik sepse sistemi financiar është duke evoluar me shërbime të reja që kjo na sjell në një dimension të ri që unë do ta quaj edukimi 2.0”.
Venera Hoxha nga Fondi evropian për Evropën Juglindore, tha se edukimi financiar nuk është zhvilluar krahas zhvillimeve të hovshme që kanë ndodhur në sektorin bankar.
“Edukimi financiar nuk është zhvilluar krahas zhvillimet e sektorit bankar. Nuk duhet të anashkalohen iniciativat që janë bërë duke filluar nga BQK shoqata e bankave por për të bërë ndryshim më të madh ne treg dhe më pozitiv një projekt i tillë e kemi parë qe do të ishte vital për tregun. Ne mendojmë që një klient i edukuar financiar është në gjendje të marr vëmendje të matura dhe të duhura për ta rritur mirëqenën dhe ndikimin në zhvillimin ekonomik”.
Besnik Kada, nga BQK shpjegoi iniciativat që ka ndërmarrë në të kaluarën për edukimin financiar dhe cilat janë objektivat e tyre në të ardhmen, raporton EO.
“Edukimi financiar si objektiv i BQK është që të nxit dhe të mbaj një sistem të qëndrueshëm financiar. Ne kemi arritur të themelojmë edhe divizionin për edukim financiar që do të bëjë të mundur rritjen e temave që kanë të bëjnë me sistemin e edukimit financiar”.
Petrit Balija, drejtor i Shoqatës së Bankave, tha se kanë filluar pothuajse nga zero me shumë pak përvojë por kanë arritur që të bëjnë shumë në një kohë të shkurtër.
“Tani edhe BQK ka marre një rol qendror dhe aktoret tjerë janë shume përkrahës prandaj e falënderojmë BQK për ketë organizim,EFSE për mbështetjen dhe natyrisht Bankat Komerciale ”tha ai.
Grupi Punues Rajonal shërben si mundësi për ndarjen e praktikave më të mira, shkëmbimin e përvojave, identifikimin e mundësive të asistencës teknike për të mbështetur zhvillimin dhe zbatimin e planeve të veprimit në fushën e edukimit financiar, përfshirjen financiare dhe mbrojtjen e konsumatorit. Deri në qershor 2017, më shumë se 24 institucione qeveritare nga 10 vende të rajonit janë anëtare të Grupit Punues.