Pas pjesëmarrjes në konferencën “Forcimi i kapaciteteve të sindikatave të arsimit për zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe dialogun social”, organizuar nga Komiteti i Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE) në Bruksel, delegacioni i SBASHK-ut, kryesuar nga kryetari Rrahman Jasharaj, është pritur nga sekretari gjeneral i Edukimit Ndërkombëtar, David Edwards.
Me këtë rast, Edwards ka çmuar lart punën e SBASHK-ut dhe njëherësh ka ofruar mbështetjen e tij.
“Paraardhësi im, miku i madh i arsimit dhe i SBASHK-ut, Fred van Liven më ka porositur të kem kujdes të veçantë për sindikatën tuaj, sepse ju këtë e keni merituar dhe e meritoni me punë e përkushtim. Ishim dhe do të jemi gjithmonë me ju kurdo që e kërkon nevoja”, tha ai.
Në takim është diskutuar për veprimet sindikale lidhur me kundërshtimin ndaj ligjit të pagave për punëtorët e arsimit.
Sekretari i përgjithshëm i EI-së, ka përgëzuar SBASHK-un për këto angazhime dhe shpreson që Qeveria e Kosovës të bëjë korrigjimin e duhur të ligjit, transmeton kp.
Ai ka përsëritur se SBASHK-u do të ketë përkrahjen e EI-së në të gjitha angazhimet dhe se është duke pritur informacione për rrjedhën e situatës, dhe me kohë Internacionalja Botërore e Arsimit do të reagojë nëse Qeveria e Kosovës nuk përmbush premtimet.
Ndryshe, Internacionalja Botërore e Arsimit ka 32 milionë anëtarë nga e gjithë bota