Efikasiteti i dobët i Prokurorisë Speciale, shqetësues për ekspertët e KE-së

Prishtinë | 24 Jan 2020 | 08:14 | Nga Ekonomia Online

Katër ekspertë të Komisionit Evropian, në muajin nëntor të vitit të kaluar, kanë qëndruar në Kosovë për të bërë vlerësimin e punës së Prokurorisë dhe gjykatave në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Raporti i përfunduar ditë më parë nga ta, një kopje të së cilit e ka siguruar gazeta, flet për ngecje të mëdha sidomos në sistemin e ndjekjes në Kosovë.

Raporti i ekspertëve të Komisionit Evropian nxjerr në pah problemet e Policisë dhe Prokurorisë në ndjekjen dhe hetimin e mirëfilltë të rasteve të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Me theks të veçantë kritikohet Prokuroria Speciale.

Ata kanë vënë në pikëpyetje cilësinë e aktakuzave të ngritura, mënyrën se si prokurorët mbrojnë lëndët në gjykatë, mungesën e provave në aktakuza, dyshimet nëse prokurorët specialë dinë të drejtojnë ndonjë hetim kompleks, mungesën e prokurorëve të specializuar, mospërfshirjen në hetim të “kokave” të organizatave kriminale etj.

Ky raport, i hartuar nga katër ekspertë, ka sqaruar se vetëm një nga prokurorët e intervistuar në kohën sa kanë qëndruar në Kosovë e ka kuptuar legjislacionin për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë së jashtëligjshme.

Raporti ka evidentuar edhe paraqitjet e dobëta të prokurorëve në gjykime e që, sipas vlerësimit të ekspertëve, kjo ka ndikuar që shumë të akuzuar të profilit të lartë të lirohen nga gjykata.

Në Prokurorinë Speciale nuk kanë dashur ta komentojnë raportin.

Jo të gjithë prokurorët e njohin legjislacionin

Vlerësimi që ekspertët e KE-së kanë për efikasitetin e prokurorëve të PSRK-së është i përzier.

“Në disa raste, prokurorët treguan se dinin të drejtonin një hetim penal më kompleks. Në disa raste të tjera nuk u panë njohuri të tilla për të kryer hetime më komplekse”, thuhet në raportin, të cilin gazeta e ka siguruar në versionin shqip, por i cili ka disa paqartësi përmbajtjesore.

Ekspertët kanë vënë në dyshim edhe nëse të gjithë prokurorët e kuptojnë legjislacionin mbi bazën e së cilës punojnë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme