Ej, me ngadalë, nuk e arrestoi Rama, Ramushin

Prishtinë | 08 Jan 2017 | 09:46 | Nga Andi Bushati

Ndalimi i Ramush Haradinajt në aeroportin e Muluzës dhe vendimi i gjykatës së Kolmarit për ta mbajtur atë përkohësisht të burgosur, po shndërrohet në një debat, sa provincial, aq edhe të shpifur në Tiranë.

Ndërsa lideri i AAK, dy herë i gjykuar në Hagë, jo se ka luftuar përkrah NATO-s kundër Serbisë, por për krime lufte gjatë kësaj periudhe, gjendet akoma pas hekurave, këtej nga ne ka nisur një fushatë fshikulluese kundër kryeministrit Shqiptar, Edi Rama.

Ai është vënë në akuzë si njeriu që më shumë se kushdo tjetër ka vizituar Beogradin; Si politikani që ka vendosur një lidhje të ngushtë më Aleksandër Vuçiçin; Si lideri që ka bërë disa herë ftesë që marëdhënia mes serbëve dhe shqiptarëve të kishte një fund të lumtur si ajo mes francezëve dhe gjermanëve; Si strategu që ka këmbëngulur në rrëzimin e mureve që kemi trashëguar nga e shkuara.

Rasti fatkeq i Haradinajt është shfrytëzuar këto ditë në mënyrë të paskrupullt, për ta paraqitur Ramën si një delirant të gënjyer keqas nga Vuçiçi, si një kukull në duart e tij, si një politikan që për shkak të show-t që do të japë ndërkombëtarisht, po i lejon serbëve eklips-imin e problemeve të Kosovës.

Këto reagime u bënë edhe më të forta pasi kryeministri serb u shpreh pro ekstradimit të Haradinajt në Serbi dhe pro kërkesave të drejtësisë së vendit të tij.

Në shtypin opozitar dhe mes kritikëve të tij, këto deklarata u u trajtuan njësoj sikur ato të ishin bërë nga miku personal i Ramës dhe jo nga shefi i ekzekutivit të një shteti me të cilin Ramush Haradinaj ka qenë në luftë.

Por, më shqetësuesja është se kjo frymë dhe ky shfrytëzim i paskrupullt i një ngjarje që arrin të emocionojë shumë shqiptarë andej dhe këtej kufirit, nuk qe fryt vetëm i analistëve sharlatanë, apo i mediave partizane. Ai ka një frymëzim edhe nga opozita zyrtare. Këtë e pohoi me gojën e tij Lulzim Basha, i cili pas bisedës që pati me bashkëshorten e Ramushit, Anitën, kërkoi publikisht që “dorëzimi i Ramës para qeverisë së Sebisë dhe Vuçiçit duhet të marrë fund”.

Dhe po të dëgjojë të gjithë këtë kor të akorduar në ç’akordimin e tij, gati- gati të krijohej përshtypja se fajtor për prangosjen e ish luftëtarit të UÇK-së, ishte Edi Rama.

Askush nuk kujtohej të thoshte se pavarësisht se kush ka qenë kryeministër në Tiranë, Serbia ka ndjekur po të njëjtën politikë kostante ndaj njerzve që kanë luftuar me armë kundër Millosheviçit dhe që akuzohen se kanë kryer krime kundër civilëve. Se e njëjta ngjarje do të përsëritej po njësoj edhe sikur Edi Rama dhe Vuçiçi të ishin armiqtë më të mëdhenj dhe të mos kishin shtrënguar asnjëherë duart mes tyre. Se ky fat mund ti takonte kujtdo që është akuzuar nga Beogradi, Karla del Ponte, apo Dick Marti edhe sikurse Rama mos të kish folur asnjëherë për ripërsëritjen e modelit franko – gjerman dhe rrëzimin e mureve të së shkuarës.

Pra, këtu problemi nuk është tek Rama.

Duke qenë personalisht një nga njerzit që mendoj se kryeministri i Shqipërisë nuk ka bërë asnjë gabim, as në marrëdhënien me Vuçiçin dhe as në deklaratat për Serbinë ( me përjashtim të pjesës së ekzagjeruar të showman-it që ai e ka po aq të domosdoshme në çdo hap që hedh, njësoj si ajri që thith dhe si buka që ha), kam bindjen se kjo fushatë Edi Ramën nuk e dëmton aspak.

Por, për fat të keq, ajo është një nga ato përpjekje që diskrediton besueshmërinë e kundërshtarëve të tij.

Së pari, ajo vizaton një opozitë që shfrytëzon në mënyrë të paskrupullt gjithçka, vetëm për të mbajtur të ngritur në mënyrë artificiale tensionin politik.

Dhe mbi të gjitha, dëmi më i madh i fushatave të tilla të paprincipta është se ato zhvlerësojnë kritikat reale ndaj Ramës.

Shefi i rilindjes, në këto vite qeverisje, ka plot krime dhe mëkate për të cilat mund të vihet me të drejtë me shpatulla për muri. Jemi shumë ata që e kemi etiketuar njëzëri, si kleptokratin e koncesioneve skandaloze, si pengun e kriminelëve dhe oligarkëve, si varmihësin e demokracisë në PS, si kryeministrin që e mbushi vendin me hashash dhe burgjet me fakirë.

Prandaj, për të skicuar një portret më të errët, për të krijuar një frymë kundër tij, nuk ka asnjë nevojë ta akuzojmë edhe si fajtor për burgosjen e Ramushit.

Argument të tillë Edi Ramës i bëjnë nder.

Ato në vend që ta baltosin, vetëm sa relativizojnë akuzat ndaj tij. Ato në vend që ta nxijnë, vetëm humbasin besueshmërinë e kritikëve, duke i vënë në rolin e njerëzve që i janë qepur me bukë në trastë edhe atëherë kur nuk ka faj.

Dhe Edi Rama ka mbi shpinë aq faje, sa nuk ka nevojë ti vihen dhe prangat e Haradinajt.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme