Ole Gunnar Solskjaer i ka akuzuar trajnerët rivalë se po kërkojnë të shtrojnë ndikim ndaj gjyqtarëve në ndeshjet kundër Manchester Unitedit, pasi skuadrës së tij iu mohua një penallti në mënyrë kontroverse në barazimin pa gola me Chelsean të dielën.
Edhe pse Solskjaer e pranoi se Unitedi dështoi të bënte mjaftueshëm për ta fituar një ndeshje të plogësht, ai mbeti i mllefosur me gjyqtarin Stuart Attwell i cili vendosi të mos e penalizoj Callum Hudson-Odoin që e preku topin me dorë në zonë në fillim të takimit në Stamford Bridge.
Attwell e vazhdoi lojën pa dhënë penallti për Unitedin, pasi e rishikoi incidentin në VAR.
Polemikat u shtuan kur mbrojtësi Luke Shaw tha se gjyqtari i kishte thënë kapitenit të Unitedit, Harry Maguire, se nuk kishte dhënë penallti për shkak se brengosej për reagimet që do të ngjallte pas ndeshjes.
Por Unitedi tentoi t’i zbusë komentet e Shaw duke thënë se mbrojtësi i majtë, në fakt, nuk e kishte dëgjuar mirë Attwellin.
Solskjaer, skuadra e të cilit ngel 12 pikë prapa liderit Manchester City, ishte i zemëruar në konferencë për media pas ndeshjes.
“Nuk dua të shkaktoj polemika por nuk është e drejtë, apo jo? I gjithë ky ndikim nga jashtë, (Chelsea) flet për VAR-in dhe Harry, të shkruash për këtë në uebsajtin e klubin do të thotë se po shtron ndikim tek gjyqtarët”, tha Solskjaer.
“Mund ta lexoni se çfarë po shkruajnë ata për Harry Maguire, duke shtruar presion ndaj gjyqtarëve për të dhënë penallti kundër nesh. E kemi parë një trajner, a ishte Frank Lampard që e nisi? Flitet shumë sesi ne fitojmë shumë penallti kur nuk ka dyshim se ato janë penallti. Edhe sot është dashur ta fitonim një penallti”, shtoi ai.