Ekipi i Ekonomia Online tregon si ndodhi arrestimi në Suharekë, thonë se u trajtuan si kriminelë dhe jo si profesionistë që po e kryenin punën e tyre

Prishtinë | 03 Shk 2022 | 17:30 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kameramani i Ekonomia Online, Albion Selitaj, ka treguar rrethanat e arrestimit të tij, sot paradite, derisa ishte duke e mbuluar me kamerë ngjarjen nga ndërhyrja e AKP-së për të marrë në menaxhim zyrat e ndërmarrjes “Agro Kosova Holding” në Suharekë.

Selitaj, si dhe gazetarja e ekipit në vend të ngjarjes, Leonora Kolukaj, kanë thënë se sjellja e pjesëtarëve të Njësisë Speciale, që po e shoqëronin AKP-në, ishte tejet agresive, sikur gazetarët të ishin kriminelë dhe jo profesionistë që po e kryenin punën e tyre.

Kameramani Selitaj ka treguar se është tërhequr me forcë deri te vetura, madje dhe është sharë nga pjesëtarë të policisë. Më pas, ai ai ishte dërguar në stacionin policor në Suharekë, ku është intervistuar. Ai tha se sjellja në stacion ka qenë korekte. “Më thanë që do të procedohen për pengim të personave zyrtarë”. Rreth orës 13:30, ai është lënë i lirë.

Ndërsa, gjatë arrestimit sjellja e Policisë ka qenë tejet arrogante. Ai ka thënë se në momentin kur është arrestuar u ka treguar Policisë se ishte duke xhiruar drejtpërdrejt, prandaj ka kërkuar që të mos ta shtyjnë sepse mund t’ia thyejnë kamerën dhe pajisjet e tjera.

“Ne ishim duke kryer punën tonë në ngjarje atje. Na është bërë kërkesa nga Policia e Kosovës për me liru vendin e ngjarjes. Ne ju thamë ju vazhdoni me kry punën e juaj, ndërsa ne po e xhirojmë dhe aksionin e lirimit të zyrave’ nuk e pengojmë policinë”.

“Pjesëtarët e Njësisë Speciale atëherë u bënë agresivë. Ne menduam se nuk jemi duke gabuar dhe prapë mendoj se nëse jam duke kryer punën time nuk është gabim”.

“E patë edhe vetë sikurse me arrestu një kriminel. Po ashtu edhe me gazetaren e Ekonomia Online janë sjellë shumë vrazhdë, kur me nxorën mua përjashta e nxorën edhe atë në mënyrë të vrazhdë”.

“Ata e shndërruan situatën në problem me media. Insistimi ka qenë tepër profesional, jo me pengu Policinë e Kosovës. Ne si medie nuk kemi probleme me policinë asnjëherë, dhe nuk kemi as arsye për me pasë probleme”.

“Për dallim nga Njësia Speciale, policia në Suharekë janë sjellë tepër mirë, na treguan ‘gabimet tona’, por edhe të vetat. Na kërkuan edhe falje në fund, që na kanë penguar edhe ne, sepse faktikisht ajo ke pengesë ndaj nesh, jo ndaj policisë”.

“Ju bëj thirrje që Policia e Kosovës me i lënë mediat me punu, mos me i pengu gazetarët dhe kameramanët në punën e vet”, shprehet kameramani.

Ndërsa gazetarja Leonora Kolukaj, e cila ishte së bashku me kameramanin Albion Selitaj, tha se ky arrestim ishte thënë më së buti ” joprofesional” nga ana e Policisë së Kosovës. Ajo tutje shtoj se në asnjë moment nuk është penguar puna e Policisë.

Ajo ka bërë apel ndaj policisë që të informohen dhe ta kuptojnë rolin e gazetarëve.

“Ne kemi shkuar të raportojmë nga vendi i ngjarjes dhe me përcjell ngjarjen. Por fatkeqësisht puna jonë u pengua nga Policia e Kosovës. Mua më vjen keq për arrestimin që i është bërë Albionit. Ne kemi shkuar të raportojmë nga vendi i ngjarjes dhe me pa se si policia po e kryejnë detyrën e vet duke larguar personat në fjalë nga vendi i ngjarjes po si duket cak i policisë u bëmë ne përfaqësuesit e medieve”.

“Ne nuk anojmë nga askush. Detyra jonë është me raportu drejt dhe shpejt në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë jam mundu me i ruajt pajisjet kur e kanë arrestuar Albionin se mos po na dëmtohen”.

Edhe gazetarja Kolukaj konsideron se Policia e Kosovës duhet ta kuptojë dhe vlerësojë rolin e medieve në një shoqëri demokratike.

Ndërsa pas rastit Drejtoria Rajonale e Prizrenit ka suspenduar dy zyrtarë dhe ndaj pesë zyrtarëve të tjerë është iniciuar procedurë e brendshme disiplinore për arrestimin e kameramanit Albion Selitaj.

Kujtojmë se pas arrestimit të kameramanit Selitaj ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka kërkuar nga Inspektoriati Policor i Kosovës të fillojë hetimet për arrestimin Albion Selitaj.

Ndërsa reagim të menjëhershëm ka pasur edhe nga AGK-ja ku ka dënuar ashpër sjelljen joprofesionale të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Tutje KMDLNj ka ftuar Policinë e Kosovës të ruajë profesionalizmin, paanësinë dhe pavarësinë nga çdo ndikim politik apo të tjetër natyre.

Të ngjashme