Ekipi i ri negociator fillon takimin me Federica Mogherinin

Prishtinë | 08 Jan 2019 | 10:13 | Nga Ekonomia Online

Ka nisur në Bruksel takimi i ekipit shtetëror për dialogun me Serbinë, kryesuar nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Fillimisht me eskortën e tyre janë parë të kenë arritur kreu i Nismas, Fatmir Limaj bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollin si dhe kreun e PSD-së, Shpend Ahmetin.

Pas tyre kanë arritur edhe Visar Ymeri e Dukagjin Gorani.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kociajançiq, të hënën, ka thënë se Ekipi negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë, është ftuar nga Bashkimi Evropian për konsultime në Bruksel. Por, sipas saj, bisedimet në nivelin e lartë politik, do të vazhdojnë ndërmjet dy presidentëve, të Kosovës dhe të Serbisë.

“Zyra e Bashkimit Evropian për çështje të jashtme ka ftuar delegacionin nga Kosova të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës më 15 dhjetor, për konsultime në Bruksel më 8 janar. Ekipi gjithashtu do të pritet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini. Konsultimet janë një mundësi për të diskutuar me përfaqësuesit e Kosovës në dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që lehtësohet nga BE-ja. Dialogu në nivelin e lartë bëhet ndërmjet dy presidentëve dhe kjo nuk ndryshon”.

Në anën tjetër, bashkëkryesuesit e Ekipit negociator, para udhëtimit për në Bruksel, u kanë thënë mediave se takimi i paralajmëruar për datën 8 janar, është më tepër i natyrës konsultative.

Siç është thënë ky takim ka për qëllim njoftimin e Brukselit zyrtar me delegacionin e Kosovës, përkushtimin dhe qëndrimin për dialogun, si dhe shpërfaqjen e ideve për platformën e dialogut.

Gjithashtu, bashkëkryesuesit e Ekipit negociator kanë theksuar edhe pritjet që kanë nga Brukseli zyrtar, si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi, që të paraqesë pikëpamjet mbi pjesën përfundimtare të dialogut ndërmjet dy vendeve.

Formimi i Ekipit negociator ka ardhur si rezultat i synimit të Qeverisë së Kosovës që ta zbehë rolin udhëheqës të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në dialogun me Serbinë, pas idesë së këtij të fundit për “korrigjim” të kufirit, si mënyrë e arritjes së një marrëveshje paqësore me Serbinë. Kjo ide është kundërshtuar fuqishëm nga kryeministri Ramush Haradinaj, por edhe nga partitë në opozitë.

Më 15 dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës pati miratuar një rezolutë për dialogun me Serbinë. Ndërkaq, më 24 dhjetor 2018, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Serbisn, të cilin pritet ta dërgojë për miratim në Kuvend.

Por, dy partitë e mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk i kanë dhënë mbështetjen as rezolutës për dialogun e as Ekipit negociator.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme