687 punëtorë të Postës me shkollë të mesme

Prishtinë | 27 Gus 2018 | 08:55 | Nga

Nga 1019 punëtorë sa ka pasur Posta e Kosovës (PK) në fund të vitit 2017 687 prej tyre janë me shkollë të mesme, 43 me përgatitje të ulët shkollore, 29 me përgatitje të lartë shkollore, si dhe 260 me përgatitje superiore, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Më shumë se gjysma e punëtoreve të kompanisë publike Posta e Kosovës (PK) janë me përgatitje të mesme shkollore, madje në këtë kompani një numër jo i vogël i punëtorëve nuk kanë të përfunduar as shkollën e mesme. Nga 1019 punëtorë sa ka pasur Posta e Kosovës (PK) në fund të vitit 2017 687 prej tyre janë me shkollë të mesme, 43 me përgatitje të ulët shkollore, 29 me përgatitje të lartë shkollore, si dhe 260 me përgatitje superiore. Këto të dhëna janë prezantuar në raportin vjetor të Postës së Kosovës, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”.

Aty më tutje në raport thuhet se totali i shpenzimeve operative dhe të stafit të ndërmarrjes Posta vetëm gjatë vitit të kaluar kap shumën e 10 milionë e 571 mijë e 777 eurove. Në të njëjtën vlerë janë të përfshira kostot e mallrave të shitura, shpenzimet operative dhe ato të të ardhurave personale, të cilat janë më të ulëta për 6 për qind nga ato të planifikuara, ndërsa për 4 për qind më të ulëta nga viti i kaluar, duke mos llogaritur shpenzimet e zhvlerësimit dhe të amortizimit.

Në raportin të cilin e posedon gazeta “Zëri” bëhet e ditur se realizimi i të hyrave për periudhën janar-dhjetor të vitit të kaluar kap shumën e vetëm 11 milionë e 850 mijë e 979 eurove, përderisa shpenzimet 10 milionë e 571 mijë e 777 euro. Ky realizim i të hyrave në periudhën e njëjtë janar-dhjetor të vitit 2016 figuron të ketë qenë 12 milionë e 213 mijë e 65 euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme