Blerim Kuqi takohet me Kryeshefin Ekzekutiv të KOSTT, Ilir Shala

Prishtinë | 02 Kor 2020 | 21:39 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerim Kuqi, në takimin e sotëm me Kryeshefin Ekzekutiv të KOSTT, z. Ilir Shala, u njoftua  për nënshkrimin e Marrëveshjes së re të Kyçjes me ENTSO-E, ku theksoi se me fillimin e implementimit të Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, KOSTT do të operoj si zonë rregulluese e pavarur brenda Bllokut AK me Republikën e Shqipërisë, në kuadër të zonës sinkrone të Evropës Kontinentale.

Sipas tij, kjo marrëveshja e re e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E pritet të fillojë së zbatuari në vjeshtë të këtij viti

Njoftimi i plotë:

Sot u takuam me Kryeshefin Ekzekutiv të KOSTT, z. Ilir Shala.

z. Shala më njoftoi për nënshkrimin e Marrëveshjes së re të Kyçjes me ENTSO-E, ku theksoi se me fillimin e implementimit të Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, KOSTT do të operoj si zonë rregulluese e pavarur brenda Bllokut AK me Republikën e Shqipërisë, në kuadër të zonës sinkrone të Evropës Kontinentale.

Marrëveshja e re e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E pritet të fillojë së zbatuari në vjeshtë të këtij viti, pas përfundimit të përgatitjeve teknike të Operatorëve të Sistemit Transmetues të Evropës Kontinentale dhe Koordinatorit Swissgrid (Operatori i Sistemit Transmetus të Zvicrës), derisa
KOSTT tashmë ka realizuar të gjitha përgatitjet teknike operative për të qenë i gatshëm për fillimin e operimit të pavarur.

Marrëveshja e re e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E përfshinë:
– Freskimin e Katalogut të masave, sipas rekomandimeve të Grupit të Projektit për KOSTT-in;
-Zëvendësimin e të gjitha referencave të doracakut të Operimit të Marrëveshjes Shumëpalëshe me referencat e SAFA (Marrëveshja Kornizë e Zonës Sinkrone);
-Që kompania Elektrosever, të aplikojë në ZRRE dhe të licencohet brenda 30 ditëve sipas kornizës ligjore dhe rregullative të Kosovës, për të furnizuar me energji elektrike konsumatorët në pjesën veriore të Kosovës.

Ndërkaq përfitimet nga operacionalizimi i Marrëveshjes janë të mëdha:
-Inkasimi i të hyrave nga shfrytëzimi i rrjetit transmetues interkonektiv apo alokimi i kapaciteteve dhe menaxhimi i kongjestioneve, që kap vlerën në mesatare vjetore 4.0 – 8.0 Mil EUR dhe nga transiti rreth 0.5 – 1.0 Mil EUR;
– Lëshimi në operim të plotë i linjës interkonektive 400 kV, Kosovë – Shqipëri;
-Implementimi i plotë i Marrëveshjes së Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri, nënshkruar në Tiranë, më 26.11.2019;
– Bashkimi i tregjeve elektroenergjetike me Shqipërinë si dhe
– Pjesëmarrja me aksione në Bursën Shqiptare të energjisë elektrike (APEX)

Shfrytëzoj rastin të përgëzoj z. Shala dhe ekipet profesionale të KOSTT për arritjet dhe sukseset dhe shpreh mbështetjen dhe përkushtimin tim dhe të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e plotë të detyrimeve të cilat dalin nga kjo marrëveshje për KOSTT dhe për Republikën e Kosovës.

Gjithashtu shpreh mbështetjen për Grupin Punues për përgatitjen e Planit të Veprimit për sigurinë e furnizimit me energji elektrike, i cili do punojë për adresimin e furnizimit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, e në veçanti në pjesën veriore të vendit.

Të ngjashme