BQK konstaton se ProCrediti ua fsheh klientëve informatat

Prishtinë | 07 Qer 2019 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Shkelja e të drejtave të konsumatorëve nga ProCredit Bank, Ish Bank dhe Ziraat Bank, siç u konstatua në një raport të Institutit GAP, ka aktivizuar Bankën Qendrore të Kosovës (BQK). Zyrtarë të BQK-së kanë thënë për Buletinin Ekonomik se tashmë i kanë marrë masat e duhura.

Në raportin “Mbrojtja e konsumatorëve në sektorin bankar”, Instituti GAP konstatoi se ProCredit Bank, Ish Bank dhe Ziraat Bank, kanë shkelur të drejtat e konsumatorëve, pasi nuk kanë publikuar në web faqet e tyre informata rreth kostos së kredisë, shprehur përmes normës efektive të interesit, në përputhje me rregullat e BQK-së.

Norma efektive e interesit ka të bëjë me koston totale të kredisë, ku përfshihen edhe shpenzimet administrative, që në shumë raste nuk i bëhen të njohura konsumatorit. Ndërkaq publikimin e këtyre informatave nga bankat, e parasheh Rregullorja për Normën Efektive të Interesit dhe Kërkesat për Shpalosje të BQK-së.

Por kjo rregullore nuk është respektuar prej disa bankave që operojnë në sektorin bankar në Kosovë.

“Me ligjin e ri kërkohet që norma efektive e interesit të shpaloset, që të dihet kostoja totale e kredisë, dhe bankat të cilat nuk e publikojnë këtë është ProCredit Banka, Ish Banka dhe Ziraat Banka, për kreditë e biznesit, ndërsa për kreditë individuale, është Sirat Banka. Po ashtu, mungojnë edhe informata tjera si tarifa për mirëmbajtjen e kredisë apo provizioni për parapagim”,thuhet në raportin e Institutit GAP.

Këto shkelje e kanë aktivizuar Bankën Qendrore të Kosovës, e cila në bazë të Ligjit për BQK-në, ka mandat për mbikëqyrjen e sektorit bankar.

“Në kuadër të kompetencave që kemi, tashmë kemi adresuar me bankat përkatëse çështjen e shpalosjes së normës efektive konform rregullores në fjalë”, ka thënë në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së.

Ai ka thënë se bazuar në Rregulloren për Normën Efektive të Interesit dhe Kërkesat për Shpalosje, bankat kërkohet të shpalosin normën efektive vjetore si matëse e kostos së kredive.

“Në raste të caktuara ato mund të publikojnë edhe normën jo vjetore, por që kërkesa rregullative ka të bëjë me normën efektive vjetore. Tek rasti i cekur si më poshtë, fillimisht ju informojnë se në asnjë rrethanë nuk ka dëmtim të klientëve, por vetëm çështje e (mos)shpalosjes në faqen e internetit, edhe pse me rastin e nënshkrimit të kontratës së kredisë, ajo përmban informatat për normën efektive dhe koston e kredisë”, ka sqaruar Ahmeti.

Buletini Ekonomik i është drejtuar me pyetje edhe bankës ProCredit për të kuptuar arsyet e mos publikimit të këtyre informatave, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Bazuar në të gjeturat, Instituti GAP rekomandon që BQK të monitorojë respektimin e rregullores për normën efektive të interesit dhe kërkesat për shpalosje, e cila obligon edhe publikimin e çmimeve dhe tarifave në ueb-faqe nga banka. Po ashtu, rekomandon që BQK të lidhë vegzën e platformës për edukimin financiar në ueb faqen zyrtare të Kosovës si dhe të bëjë publikimin e materialeve informuese dhe edukative të mbledhura etj.

Të ngjashme