Fillon “Java Globale e Ndërmarrësisë”, marrin pjesë rreth 60 biznese të reja

Prishtinë | 18 Nën 2019 | 11:33 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra e Inovacionit të Kosovës (ICK) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) kanë mbajtur ceremoninë e hapjes së Javës Globale të Ndërmarrësisë 2019 në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i Qendrës së Inovacionit të Kosovës, ka thënë se janë bërë bashkë rreth 60 organizata dhe se brenda javës do të mbahen mbi 80 aktivitete.

“Sot 7 vjet më pas jemi diku rreth 60 organizata të cilat jemi bashkuar. 7 vjet më parë nuk e kemi menduar që nuk do ta kemi lëvizjen e lirë. Bashkimi i forcave na bën të besojmë që ky vend ka një të ardhme të ndritur nëse investojmë në atë që të rinjtë besojnë”.

“Java e ndërmarrësisë sot fillon në 180 shtete. Gjatë javës do të kemi mbi 80 aktivitete”, tha ai.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, tha se është e rëndësishme që bizneset të shohin perspektivë në vendin tonë.

“Është e rëndësishme dhe t’u themi se edhe këtu mund t’ia dilni që të bëni storie të suksesit, siç kanë bërë shumë të tjerë”.

Zeka ka sqaruar se 14 aktivitete përgjatë tërë javës do të mbahen nëpër qytete të ndryshme, raporton EO.

“Më vjen jashtëzakonisht mirë që jemi partner me ICK-në dhe për të satën herë më radhë kemi mundësinë që të organizojmë aktivitete në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë. E di që para tri vitesh kemi pasur numrin më të madh të aktiviteteve – 6 nëse nuk gaboj – dhe kemi dashur ta thyejmë këtë rekord. Këtë vit i kemi 14 aktivitete përgjatë tërë javës nëpër qytete të ndryshme dhe me shumë partnerë”, ka thënë ai.  

“Jemi me një kohë kur një pjesë e të rinjve tanë nuk shohin perspektivë në vendin tonë dhe besoj se thelbi kryesor i gjithë aktiviteteve tona gjatë tërë javës duhet të jetë pikërisht kjo: që të ndajmë sa më shumë storie suksesi me këta të rinj, që t’ju tregojmë atyre se është e mundur që t’ia dalësh edhe në Kosovë”, ka thënë Zeka.

Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, tha se në 10 vitet e fundit, numri i kompanive të IT-së në Kosovë është rritur për 185 për qind.

“Fakti kryesor se pse jemi mbledhur këtu, pas një nate të gjatë, tregon sesa të përkushtuar jemi. Më duhet të them se ICK ka qenë një nga storiet e shkëlqyera të suksesit që Kosova ka arritur të prodhojë prejse e kemi shpallur pavarësinë. Është rinia jonë, shpirti sipërmarrës që do ta çojë dhe shtyjë Kosovën përpara”.

“Shumë pak njerëz dinë se rreth 60% e GDP-së vjen nga shërbimet, dhe nga të talentuarit e industrive të teknologjisë që po lulëzojnë në Kosovë. Vetëm në 10 vitet e kaluara numri i kompanive që lidhen me IT është rritur për 185%, dhe ky progres nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e të gjithë juve, veçanërisht të ICK-së dhe storiet e shkëlqyera që ju arritët t’i bëni”.

Në 180 shtete të botës ka filluar “Java e Ndërmarrësisë Globale” me mbi 10 milionë pjesëmarrës, kurse në Kosovë do të jetë e hapur deri të dielën.

Të ngjashme