Hapet panairi “Prishtina 2019”, bëhet thirrje për siguri në punë

Shkabaj, Prishtinë | 24 Pri 2019 | 11:48 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është hapur Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2019”, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë, ku po marrin pjesë 100 ndërmarrje nga Kosova, rajoni dhe më gjerë, raporton Ekonomia Online.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, tha se ashtu edhe siç është proklamuar ky vit do jetë vit i ekonomisë.

Ai tha se ka rritje të numrit të kompanive pjesëmarrëse në panair derisa bëri thirrje që fokusi për siguri dhe shëndet në punë të jetë më i madh.

“Sot kemi 100 kompani nga shtetet më të rëndësishme nga rajoni dhe Evropa, ne besojmë që panairi është një nga mundësitë kryesore që të prezantojmë ekonominë tonë dhe korrespondon edhe me atë që e ka proklamu Qeveria që ky vit do jetë vit i ekonomisë. Ajo që është thirrje duke u lidhur me rastet e fundit për shumicën e bizneseve është fokus më madh te siguria dhe shëndeti në punë prandaj të mos na përsëriten rastet që i kemi dhe besoj që ky është mesazh për panairin”, tha Rukiqi.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se ekonominë e bëjnë sipërmarrësit vendës.

Ai tha se Qeveria ka filluar me qasje të re, duke u ofruar mundësi më të lehta dhe më të mira komunikimi kompanive.

“OEK në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës prej datës 24 deri në 26 organizojnë panairin e përgjithshëm ndërkombëtarë Prishtina 2019. Shpejt në Kuvendin e Kosovës pritet të aprovohet ligji për tatimin që synohet përmirësimi i të bërit biznes. Politikat fiskale i kemi më të ulëta në Evropë, odat kanë brenda vetit arbitrazhet për zgjedhjet e kontratave. Tek zyra e kryeministrit kemi fillu një qasje të re që i kemi dhënë hapësirë komunikimit me kompanitë. Është vit i ekonomisë, por vitin e ekonomisë e bëjnë sipërmarrësit dhe ne do t’i qëndrojmë afër”, tha Haradinaj.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha se MTI-ja ndër prioritetet kryesore ka mbështetjen e ndërmarrjeve në Kosovë dhe se të gjitha projektet e qeverisë dhe MTI-së kanë për qëllim mbështetjen e kompanive kosovare.

“Institucionet kosovare janë të vetëdijshme për rolin e kompanive vendore . MTI-ja ndër prioritetet kryesore ka mbështetjen e ndërmarrjeve në Kosovë, të gjitha projektet e qeverisë dhe MTI-së kanë për qëllim mbështetjen e kompanive kosovare dhe i ftoj ata ta vazhdojmë dhe ta avancojnë  objektivin tonë. Këto janë sfida, por mund t’i realizojmë duke bashkëpunuar. Kërkoj nga ju që të vazhdoni të punoni në kualitet në mënyrë që ta rrisim tregun tonë dhe ta rrisim besimin e konsumatorëve tonë dhe të jashtëm. Ne jemi të përkushtuar t’ju përkrahim në këtë aspekt. Panairi paraqet një mundësi të mirë të sensibilizimit të akterëve për bashkëpunimin me qeverinë e Kosovës. MTI-ja çdo herë do jetë përkrahë bizneseve”, tha Shala, raporton EO.

“…Dua t’ju sigurojë që qeveria Kosovës do marrë këtë vit hapa për ta revitalizuar edhe këtë qendër të panaireve që të jetë e konkurueshme edhe për qëllimin që është themeluar kjo qendër.”

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha se Ekonomia Digjitale është e ardhmja e Kosovës.

“Ajo çka jemi mbledhë këtu është të bëjmë ndërlidhjen ndërmjet traditës dhe gjërave të reja në botë, zhvillimet ekonomike janë duke u ndryshuar në mënyrë rapide. Ekonomia Digjitale është e ardhmja dhe Kosova ka fuqi të re punëtore. Kosova shpresoj që do ta krijon shumë shpejt identitetin e vet ekonomik dhe ai do jetë Inovacioni dhe Ekonomia Digjitale”, tha Beqaj.

Të ngjashme