Haradinaj paralajmëron hetime për ngecjet e punimeve në infrastrukturë

Prishtinë | 13 Sht 2017 | 10:43 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj ka paralajmëruar hetim për ngecjen e punimeve në infrastrukturë. Ai ka thënë se rrugët janë ndërtuar me ritëm të ngadalshëm. Ai porositi punëkryesit se nuk do të tolerohen vonesa.

Haradinaj ka vizituar sot në mëngjes Ministrinë e Infrastrukturës, ku është takuar me ministrin që vjen nga partia e tij, Pal Lekaj.

Shefi i ri i Qeverisë tha se ka shkuar aty që të mësojë më shumë për punimet në autostradën “Arbën Xhaferi”.

”Interesimi im ishte me pa gjendjen e projekteve. Mësuam se si kanë shkuar zhvillimet me autostradën ‘Arbën Xhaferi’, në çfarë etape është. Kemi një obligim financiar të papërmbushur për të. Qeveria e vendit do të gjejë një zgjidhje, së bashku me Ministrinë e Financave. Njëkohësisht dëshirojmë që në afatin e caktuar kohor me përmbyll. Mos me ndodh vonesa”.

Përveç kësaj në këtë takim është diskutuar edhe për projekte e tjera infrastrukturore që po bëhen në bashkëpunim me BERZh-in.

“Janë dhe projekte tjera, sepse janë disa marrëdhënie që janë vendosur me institucionet monetare, sikurse me BERZh-in, është autostrada, ose rruga drejtimi Pejë. Hetohet një ngecje në të. Duam që këto procedura me i trajtu me prioritet. Dhe ai obligim i ndërmarrë i Kosovës me BERZh-in, por dhe ndërtimi i kësaj rruge me u bë në kohen e duhur. Një ritëm i ngadalshëm dhe jo aq serioz, i cili ka ndodhur deri sot”, tha Haradinaj.

Ai paralajmëroi punëkryesit se punët duhet të kryhen në afatin e përcaktuar dhe se nuk do të tolerohen vonesa.

“Një kolicë, një bager i vogël i ndryshktë dhe një punëtor dikund. Nëse e ka marrë dikush përgjegjësinë me kry punë këtij vendi, atëherë ka me i kry ose në afat kohor ose ka me u përjashtua prej mundësisë që me marrë punë ma prej publikut”, u shpreh Haradinaj.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se motoja e punës së tij do të jetë në shërbim të së mirës dhe në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

“E njoftuam, për së afërmi, për politikat zhvillimore, për politikat ekzekutive, për rrjedhat e projekteve dhe u betuam, që do të jem në shërbim të së mirës, së qytetarëve të Kosovës; në shërbim të ndërtimin dhe forcimit të shtetit të Kosovës. Kjo do të jetë moto e kësaj ministrie”, u shpreh Lekaj.

Të ngjashme