Heqja e barrierave tregtare në funksion të dialogut dhe normalizimit

Prishtinë | 06 Shk 2020 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Eliminimi i barrierave tregtare ndërmjet shteteve të rajonit, sidomos ato me probleme, siç janë Kosova dhe Serbia, do të krijonte një ambient më të mirë për bizneset në përgjithësi dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës, thonë përfaqësues të bizneseve në Kosovë dhe ekspertë të kësaj fushe.

Sipas tyre, zgjidhja e çështjeve të hapura politike, në veçanti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të shihet edhe në favor të zhvillimit më të madh ekonomik.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se barrierat tregtare të vendosura ndër vite ndërmjet shteteve e kanë penguar zhvillimin ekonomik në përgjithësi, si në Kosovë ashtu edhe në vendet e rajonit.

“Bizneset mund të luajnë një rol më të madh sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pasi që në fund të fundit, bizneset e kanë barrën e krijimit të vendeve të reja të punës dhe ato mund të bëjnë shumë më tepër edhe në aspektin e afrimit të të dyja shteteve dhe lëvizjes drejt raporteve më të mira ndërshtetërore dhe ndërfqinjësore, që është edhe parakusht për integrimin e shteteve të rajonit në Bashkimin Evropian”, thotë Zeka.

Barrierat e shumta tregtare mes shteteve të rajonit të vendosura edhe nga Kosova, siç është rasti me taksën 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, sipas Arian Zekës, janë në kundërshtim edhe me zotimet që janë ndërmarrë nga Kosova në rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, siç është Marrëveshja për Tregti të Lirë CEFTA, anëtare e së cilës Kosova është që nga viti 2007.

Qeveria e kaluar e Kosovës në krye me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj në nëntor të vitit 2018 pati vendosur taksë doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo taksë ishte bërë pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë se duhet të kuptohet që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë. Kurse, vendosja e barrierave mes shteteve, thekson ai, nuk i bën favor zhvillimit ekonomik të asnjë vendi.

“Është koha kur duhet që populizmi t’i takojë së kaluarës pasi që ne jemi në një periudhë të zhvillimit ekonomik. Ta kemi prioritet sundimin e rendit dhe ligjit, ta kemi prioritet partneritetin, qoftë në rajon, qoftë në Evropë, qoftë me ShBA-në. Nuk i duhet të ardhmes së Kosovës nëse mendohet si të bëjmë barriera. Mjeshtëria dhe vizioni politik respektohet atëherë kur gjejmë alternativa si të eliminohen barrierat dhe si të përdoret ekonomia si një mekanizëm i përafrimit, si një mekanizëm që ndryshon imazhin e Ballkanit Perëndimor”, thotë Gërxhaliu.

Ai po ashtu thekson se ekonomia duhet të përdoret si mekanizëm kyç për të ardhmen. Kosova, Serbia, por edhe vendet tjera të rajonit, thotë Gërxhaliu, nuk kanë kohë për të humbur dhe problemet duhet t’i takojnë së kaluarës.

“Me këtë mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rekomandimet që vijnë nga miqtë ndërkombëtarë, besoj që kryeministri Albin Kurti do ta ketë më të lehtë të marrë vendime që do të garantonin ardhmërinë dhe jo që ta zbukurojnë të kaluarën”, shprehet Gërxhaliu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës 100 për qind të vendosur nga qeveria e kaluar për importet nga Serbia, me reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar.

Arian Zeka nga OEAK-u thotë se është e nevojshme që tarifa të hiqet pasi që është në kundërshtim me frymën e zotimeve që Kosova ka ndërmarrë në raport me shtetet tjera.

“Tarifa, si e tillë, duhet të rishqyrtohet dhe të hiqet menjëherë nga ana e qeverisë së re ashtu që të mund të kalojmë në një fazë tjetër ku diskutohet për raporte të reja, edhe tregtare, edhe çfarëdo lirie tjetër që mund të diskutohet. Duhet të flasim për eliminimin e të gjitha problemeve të natyrës politike që kanë ekzistuar në të kaluarën, të cilat pastaj do të mundësonin edhe njohjen e dokumentacionit, edhe njohjen e procedurave të plota që lëshohen nga njëri shtet dhe njihen nga shteti tjetër”, thotë Zeka.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, gjatë vizitës së tij në Kosovë pati theksuar se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ‘është e fokusuar në krijimin e vendeve të punës nga bizneset amerikane, duke cekur që komuniteti i biznesit është pjesa më e rëndësishme e zgjidhjes së problemit Serbi-Kosovë’.

Kosova përballet me nivel të ulët të zhvillimit ekonomik. Viti 2019 u përmbyll me një rritje ekonomike prej 4,2 për qind, e cila ka qenë e pamjaftueshme për të adresuar problemin e papunësisë, me të cilin përballen të rinjtë.

Papunësia në Kosovë është në shkallën prej rreth 30 për qind dhe prek kryesisht të rinjtë.

Të dhënat e fundit të Doganës së Kosovës të dërguara Radios Evropa e Lirë tregojnë se si pasojë e mospërputhjes ndërmjet vlerës së eksporteve dhe të importeve, deficiti vjetor tregtar në Kosovë ka arritur në shifrën e më shumë se 3 miliardë eurove.

Brenda një viti, Kosova ka importuar mallra nga vende të ndryshme të botës në vlerë prej më shumë se 4 miliardë euro, derisa ka eksportuar jo më shumë se 340 milionë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme