INDEP: Gjendja në treg është shumë e keqe dhe e rrezikshme për konsumatorët

Prishtinë | 16 Shk 2022 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) shprehë shqetësimin me mosfunksionalizimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK). Ne kërkojmë nga Qeveria që urgjentisht të procedojë emrat për anëtar të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Gjendja në treg është shumë e keqe dhe e rrezikshme për konsumatorët.

Në treg janë rritur njëtrajtshëm të gjitha çmimet te të gjitha bizneset, përfshirë çmimi i bukës, i të gjitha produkteve ushqimore, derivateve të naftës e shërbimeve. Shtuar, ka shumë dyshime për marrëveshje të fshehta dhe dakordime mes bizneseve për fiksim të çmimeve.

Funksionalizimi i AKK-së është i domosdoshëm në mënyrë që tregu të rregullohet dhe institucioni të mund të veprojë për mbrojtjen e konkurrencës, mandat ky ligjor për të cilin është i thirrur. INDEP pret që kjo kërkesë të trajtohet me prioritet nga Qeveria dhe që brenda muajit të ardhshëm të kemi një AKK funksionale dhe në krye të detyrës. Funksionalizimi i AKK-së në tregun e tanishëm që po i shkel të drejtat e konsumatorëve dhe po ç’ekuilibron konkurrencën e tillë është çështje që tejkalon çdo agjendë politike.

Sipas Ligjit nr. 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është organi kyç për mbrojtjen e konkurrencës dhe rrejdhimisht, garantimin e mbrojtjes së konsumatorëve. Me ligj, AKK-ja është institucion i pavarur që i raporton drejtpërdrejt Kuvendit të Kosovës, por që struktura e tij propozohet nga Qeveria e Kosovës. Kryetarit, nënkryetarit dhe tre anëtarëve të Bordit të AKK-së iu ka skaduar mandati pesëvjeçar me 9 qeshor, 2021. Që prej atëherë AKK-ja është jofunksionale, pa Komision për Mbrojtjen e Konkurrencës – pjesës kryesore për funksionim, pa të cilën AKK mbetet e bllokuar. Qeveria qe 7 muaj nuk ka propozuar emrat e rinjë, duke e lënë institucionin praktikisht pa asnjë mundësi për intervenim dhe mbrojtje të konkurrencës.

Qeveria përpos që nuk e ka respektuar ligjin, edhe e ka shkeluar atë. Me Ligjin nr. 04/L-226 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/l-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, Neni 25, paragrafi 5 thekson se:

“Qeveria, gjashtëdhjetë (60) ditë para përfundimit të mandatit të anëtarëve të Komisionit, ia propozon Kuvendit për emërim ose riemërim kandidatin për anëtarë të Komisionit.” Qartazi, ky afat kohor nuk është respektuar e shkelja veç është thelluar.

Është urgjente që Qeveria të kryejë detyrën e saj ligjore – të propozojë 5 emrat e anëtarëve të rinjë të Komisionit të AKK-së, vendim ky që do të ç’bllokonte Autoritetin. Specifikisht, Komisioni i AKK-së drejton dhe organizon tërë punën dhe veprimtarinë e AKK-së. Nisur nga fakti se Kryetari i këtij Komisioni dhe anëtarët tjerë të Komisionit të AKK-së janë personat me më së shumti përgjegjësi institucionale për mbrojtjen e konkurrencës në treg, është e patolerueshme që Qeveria të zvarrisë përzgjedhjen e re të anëtarësisë të këtij Komisioni, duke shkaktuar shumë mangësi të tjera zingjirore në mbrojtjen e konkurrencës në treg dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) i ka dedikuar një komponentë të punës programatike avancimit të agjendës për mbrojtjen e konsumatorit në vend. Puna e INDEP-it fokusohet në monitorimin e kornizës ligjore e cila është e vendosur për të garantuar mbrojtjen e konsumatorit fillimisht, në informimin e qytetarëve për të drejtat e tyre, si dhe monitorimin e parakushteve që sigurojnë treg të drejtë dhe të hapur, sipas rregullave të tregut europian.

Nga puna që bën INDEP përmes platformës ‘Mbrojtësit e Konsumatorëve’, keqpërdorimet dhe shkeljet e të drejtave të konsumatorëve janë të shpeshta dhe lehtë të evidentueshme. përmes punës sonë dhe krijimit të urave lidhëse mes konsumatorëve dhe institucioneve, konsiderojmë se është arritur një gjendje e përmirësuar e mbrojtjes së konsumatorëve në treg. Pavarësisht, problemet me konkurrencën e drejtë dhe tregun e çrregulluar vazhdojnë. Rritja enorme e çmimeve që ka nisur në pranverën e 2021, e është prezente ende dhe shkeljet e sipërpërmendura janë tepër shqetësuese. Pa AKK, përmirësimi i gjendjes është i pamundur.
Prishtinë, 16 shkurt, 2022

Të ngjashme