Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave heqin dorë nga kamata e borxhit

Ferizaj | 15 Dhj 2017 | 17:07 | Nga

Ish–punëtorët e Fabrikës së Tubave të Çelikut në Ferizaj, sërish iu kanë kthyer protestave përmes të cilave po kërkojnë 26 milionë eurot. Kryetari i sindikatës së punëtorëve të Fabrikës së Tubave Ali Azemi, tha se protesta e fundit ka ardhur si rezultat i bisedimeve që kishin ditë më parë me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili u kishte thënë që ta përgatisin një memorandum, por më pas ai nuk i është përgjigjur atyre.

“Ne u zotuam se punëtorët do të pajtohen që kamatën do ta heqim si obligim ligjor që ka qeveria dhe AKP-ja ndaj ekzekutimit të borxhit dhe u dakorduam që këtë mënyrë të lirimit të qeverisë nga kamata ta bëjmë nëpërmjet një memorandumi. Ne memorandumin e bëmë, e dorëzuam dhe e protokoluam dhe aty theksuam që punëtorët pajtohen të heqin dorë nga kamata e borxhit që ishte mbi 25 milionë euro dhe ne atë memorandum e kemi dorëzu. Sipas informatave që kam memorandumi ka kalu në Zyrën Ligjore të kryeministrit dhe në lidhje me këtë shqyrtim të memorandumit është formu një komision, mirëpo përgjigje nuk kemi pas gjerë më tani, për atë arsye ne bëmë një protestë para qeverisë dhe kërkesa jonë ishte që të jepet një përgjigje në lidhje me këtë marrëveshje që patëm me kryeministrin ose me këtë memorandum”, tha Azemi, raportin TV Tema.

Azemi thotë se janë lodhur duke pritur dhe duke marrë premtime të rrejshme nga përfaqësues të institucioneve më të larta.

“Me ju thënë të vërtetën edhe shqiptarët janë bërë shumë të parespektuar, thonë PO e del JO, që kjo nuk ka qenë adet i shqiptarëve, ne e kemi premtimin se kjo marrëveshje do të respektohet, me anën e këtij momerandumi edhe borxhi do të filloj me u ekzekutu edhe pse aty ka dilema alternative me jau dhanë boxhin juve lypin edhe punëtorët e tjerë edhe pse kjo nuk qëndron sepse ne kemi ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe këta pushtetarët kur po vinë në pushtet po thonë që kemi me respektu ligjin dhe ne jemi duke kërkuar thjesht me u respektu ligji dhe kushtetuta”,tha Azemi.

Ish-Gjykata Komunale e Ferizajt në vitin 2002 kishte vendosur që punëtorët kanë të drejtë të kompensohen. Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese obligoi Qeverinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit që për largim të padrejtë nga puna t’i dëmshpërblejë mbi 900 punëtorët me 26 milionë euro. Kuvendi i Kosovës ka sjellë vendim në mars të vitit 2014, ku parashihet që kompensimi të bëhet në tri faza: në fazën e parë 50 për qind e në dy fazat e tjera nga 25 për qind.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme