Me moton “Jo shpejtësisë, po sigurisë”, përurohet segmenti i tretë i autostradës “Arbën Xhaferi”

Doganaj | 14 Qer 2018 | 11:40 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me moton “Jo shpejtësisë, po sigurisë”, është bërë përurimi i segmentit të tretë të autostradës R6, “Arbën Xhaferi”, Prishtinë-Hani i Elezit.

Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se ky është një projekt i jashtëzakonshëm që ofron Kosovën me Evropën.

Sipas tij, Kosova do të jetë lidere e transformimit modern të vet dhe të Ballkanit, raporton Ekonomia Online.

Ai shtoi se krahas liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga Bashkimi Evropian, i cili, siç tha Veseli, pritet të ndodhë në fund të këtij viti, Kosova po krijon lidhje të fuqishme dhe moderne infrastrukturore me vendet fqinje dhe ato të BE-së, përfshirë portet e rëndësishme rajonale.

“Ndoshta dy dekada më parë askush nuk e kish besuar këtë fakt, sot në Kosovë është realitet. Arbën Xhaferi është duke hedhur shtat. Besoj që deri me 28 nëntor do të afrohemi me Maqedoninë”.

“Presim që deri në fund të vitit qytetaret do të mund të lëvizin lirshëm, jemi të sigurt për ketë.  Kjo është Kosova jonë moderne, Kosova do të jetë lidere e transformimit modern në Ballkan”.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se përfundimi i kësaj autostradë do t’i jap impakt pozitiv ekonomisë në vend.

Kreu i ekzekutivit shtoi se megjithëse janë të shtrenjta, investimet në infrastrukturë janë të domosdoshme, duke kërkuar që ato të përfundojnë me kohë, raporton EO.

“Gëzimi i sotëm për mua është për gjysme sepse e di që gëzimi është i plotë kur përfundon komplet. E di që ku takohemi atje do te jemi më të gëzuar. Investimet në infrastrukturë janë të shtrenjta por e ndryshojnë ekonominë e vendit. Një parametër kryesor për investime është koha dhe kohen e shkurton infrastruktura. Është me rendësi që Kosova të jete e përgjegjshme t’i përfundojë projektet me kohë”.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, tha se me ndërtimin e rrugëve Kosova afrohet me rajonin. Edhe pse pranoi se projekte të tilla nuk janë të lira, falënderoi Qeverinë për punën e bërë.

“Kurrë s’kam ardhur nga Prishtina më shpejt këtu. Në këtë dhjetor do ta përfundojë segmentin e fundit dhe kjo është një arritur e madhe. Kosovës i duhen rrugë të mira për të ndërtuar marrëdhënie të mira me rajonin. Kompanitë në Kosovë po marrin eksperiencë të mirë në ndërtimin e rrugëve. Projektet e tilla nuk janë të lira, por e falënderoj qeverinë për punën që kanë bërë”.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se rrugë me standarde e siguri të lartë e bëjmë të mundur që Kosova të zhvillohet ekonomikisht.

“Me moton ‘Jo shpejtësisë, po sigurisë’ jemi takuar në këtë ditë të veçantë që të bëjmë përpunimin e këtij segmenti prej 11 km, që i bie të jetë segmenti i parafundit. Ashtu si sot para 7 muajsh jeni të lumtur që po përmbyllim një projekt gjigant”.

“Jemi duke shkuar drejt kompletimit të kësaj autostrade që do të jap rezultate konkrete në zhvillimin ekonomik. Këtë rrugë me standarde e siguri të lartë e bëjmë të mundur që Kosova të zhvillohet ekonomikisht. Ne prapë do të jemi bashkë për të përuruar urën më të gjatë në rajon”, tha ai.

Të ngjashme