Oda Amerikane propozon të rritet borxhi publik, ardhja e diasporës mund ta ndikojë rritje të ekonomisë

Prishtinë | 05 Shk 2022 | 08:13 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ardhja e diasporës këtë vit mund ta determinojë rritjen ekonomike në Kosovë, pasi vitin e kaluar ato patën ndikim të madh në këtë drejtim.

Për kryetarin e Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ndihmesë të madhe në ekonomi ka dhënë edhe tërheqja e 10 përqindëshit nga Trusti me një vlerë totale prej 200 milionë euro.

Për Ekonomia Online, Zeka thotë se këtë vit ndonëse nuk parashihet një masë e tillë kjo do të jetë një qarkullim i reduktuar në ekonominë vendëse.  

“Sa i përket rritjes ekonomike meqenëse diaspora ka një ndikim goxha të madh gjithçka do të varet edhe nga ardhja e tyre. Nëse do të kishim fluks të madh të vizitorëve nga diaspora siç e kishim në vitin 2021 që tash mund të flasim për një parashikim të krahasueshëm me atë të vitit të kaluar. Këtë vit do të kemi edhe një hendek tjetër për sa i përket aktiviteteve ekonomike dhe normës së rritjes në përgjithësi. Vitin e kaluar kishim heqje të trustit në shumën 200 milion euro të cilat natyrisht që kanë gjetur vendin e tyre në ekonominë e vendit. Këtë vit nuk kemi një masë të tillë që i bie që edhe qarkullimi në përgjithësi do të jetë më i reduktuar sidomos nëse do të kemi vizita më të vogla nga ana e pjesëtarëve të diasporës”, tha Zeka.

Ndërsa ngritja e çmimeve në muajt e fundit është dashur sipas tij të përcillet me ngritje të pagave në sektorin publik dhe të pagës minimale. E propozimi i ZRRE-së për ngritje të faturave të energjisë, sipas Zekës do ta rëndojë edhe më shumë shportën e konsumatorit.

“E tërë kjo valë e ngritjes se çmimeve që kemi parë në muajt e fundit nuk është përcjellë me ngritje të pagave as në sektorin publik dhe as në atë privat. Në anën tjetër flitet për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike që do të rëndojë edhe më tej shportën e konsumatorit dhe do ta reduktojë fuqinë blerëse të qytetarëve të vendit dhe mund ta thellojë edhe më tej gjendjen socio ekonomike në vend. Dëshiroj të besoj se do të ketë një reagim në këtë aspekt dhe të përcillet me ngritje të pagave dhe të shmangim thellimin e varfërisë për disa segmente të caktuara të popullsisë tonë dhe ta ndalim këtë tendencën e qytetarëve për tu larguar nga Kosova dhe për të shkuar në vende të tjera në kërkim të një jete më të mirë”, ka thënë Zeka.

Kërkesë tjetër e Zekës është edhe rritja e borxhit publik në Kosovës, pasi sipas tij ka hapësirë që ky borxh të rritet e këto mjete mos të përdoren për qëllime afatshkurta por që të kenë një ndikim në zhvillimin e ekonomisë.

“Nuk besoj që norma e rritjes ekonomike në vitin 2022 do të jetë as e krahasueshme me atë që kishim në vitin 2021. Ne si Odë Amerikane ju kemi bërë thirrje qeverive të ndryshme për gjatë viteve të fundit në Kosovë që borxhin publik në Kosovë ta rrisin meqenëse ka ende një hapësirë që borxhi publik të rritet për këto mjete të mos përdoren për qëllime afatshkurtra dhe që nuk kanë ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit. Ka projekte infrastrukturore të cilat qeveria mund ti shtyjë përpara dhe ato mjete të përdoreshin në mënyrë të duhur”.

Të ngjashme