Oda Ekonomike Amerikane organizon takim virtual rreth gjendjes së sektorit të prodhimit në Kosovë

Prishtinë | 17 Sht 2020 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Në një forum të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane temë diskutimi ishte gjendja e sektorit të prodhimit në Kosovë.

Sipas prodhuesve vendorë kompanitë prodhuese luajnë rol kyç në zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe koha e pandemisë ka krijuar mundësi të reja për depërtim të produkteve vendore në tregje ndërkombëtare.

Sipas tyre përkrahja nga ana e Qeverisë ndaj këtij sektori mbetet shumë e nevojshme.

Sami Dida, kryeshef ekzekutiv në kompaninë e prodhimit të kabllove “Proton Cable” diskutoi mbi nevojën për kontrollim të mallrave që hyjnë në Kosovë, ku tha se ekzistojnë mallra jashtë standardit që shiten në tregun tonë dhe konkurrojnë në çmim, andaj është e rëndësishme që kjo çështje të adresohet sa më parë.

“Situata e krijuar me pandeminë ka ndikuar shumë në aktivitetin e kësaj ndërmarrjeje, dhe se në mënyrë zingjirore janë afektuar pothuajse të gjitha industritë. Problemet më madhore me të cilin janë ballafaquar ka qenë rritja e çmimit të lëndës së parë në një kohë kur shitjet janë në rënie” ka thënë Dida.

Përfaqësuesi nga kompania e prodhimit të letrës higjienike “Medruplast”Kreshnik Jakupaj u shpreh se ndërmarrja e tij e ka përballuar më lehtë situatën e krijuar nga pandemia, duke pasur rritje të eksportit.

“Shpresoj që sa më parë të aprovohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, në mënyrë që të ndihmohet ekonomia e vendit” u shpreh Jakupaj.

Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv në kompaninë e prodhimit të qeseve “Scampa”, si dhe njëherësh kryesues i Komitetit të Prodhimit të Odës Amerikane, Kujtim Gjevori, i dha rëndësi të veçantë çështjes së garancionit kreditor tek kompanitë prodhuese, ku theksoi se duhet të parashihet deri në 80% garantim i kredive i dedikuar për prodhues, marrë parasysh kontributin e tyre në ekonominë e vendit.

Gjevori gjithashtu përmendi mundësitë e krijuar nga marrëveshja për normalizimin e raporteve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë, derisa tha se është e domosdoshme që aprovimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike të bëhet sa më parë.

Të ngjashme