Përqindja e grave gjykatëse në Kosovë është 33%, vlerësohet roli i tyre në reformat në drejtësi

Prishtinë | 24 Nën 2021 | 13:01 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), së bashku me Programin për Drejtësi Komerciale të USAID-it, kanë organizuar forumin “Gratë në Drejtësi Komerciale”, raporton Ekonomia Online.

Kryetar i OEAK, Arian Zeka tha se në Kosovë numri i grave gjykatëse është 33%, duke shtuar se rritja e pjesëmarrjes së grave ndikon në rritjen e besimit në punën e gjykatave.

“Për ne që përfaqësojmë sektorin privat e dimë sa është i rëndësishëm një sistem i drejtësisë. Besoj që rritja e pjesëmarrjes së grave ndikon në rritjen e besimit në punën e gjykatave. Në ShBA 34% e gjykatësve janë gra. Numri i grave gjykatëse në Kosovë është 33%”.

Gresa Caka-Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, tha se në vazhdimësi gratë kanë shkëlqyer në  fushën e drejtësisë komerciale.

Madje sipas saj, gratë kanë qëndruar në krye të reformave të rëndësishme në këtë fushë.

“Përbërja e këtij forumi është dëshmi që Kosova është në rrugë të mbarë. Zhvillimi i drejtësisë në Kosovë ka qenë prioritet kyç sepse përtej reformave përforcimi i mekanizmave që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik është dritësia komerciale. Gratë kanë qëndruar në krye të reformave të rëndësishme në këtë fushë”.

“Integrimi i grave në jetën publike edhe në sektorin privat vazhdon të jetë i sfiduar. Vlerë themelore me Kushtetutë është edhe barazia gjinore në jetën politike, sociale kulturore. Kosova ka miratuar Ligjin për barazinë ligjore. 30% e grave përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës. Gratë kanë dëshmuar se janë meritore për përfaqësim në vendimmarrje përmes sukseseve përkatëse”.

 Zeinah Salahi, udhëheqëse e USAID-it tha se në Kosovë janë 1/3 e grave gjyqtare. Ajo pohon se pjesëmarrja e grave në profesione ligjore ofron vlerë të lartë për shoqërinë, raporton EO

“Edhe pse Kosova është demokraci e re më ka bërë përshtypje sa janë të zotuar për ta përmirësuar drejtësinë. USAID po punon në sistemin e drejtësisë komerciale në sundimin e ligjit. Megjithatë pavarësisht arritjeve të mëdha gratë janë të përfaqësuara në shumicë të madhe në Kosovë. Gratë janë 1/3 e gjyqtarëve”.

“Pjesëmarrja e grave në profesione ligjore ofron vlerë të lartë për shoqërinë. Duhet inkurajuar sa më shumë gra të përfshihen në procese ligjore për sundim të ligjit. 34% janë pjesë e Kuvendit dhe prania e grave në drejtësi do të bëjë përparim”.

Nita Shala, zëvendësministre e Drejtësisë, tha se për të shembuj kanë qenë gratë e suksesshme në vend.  

“Shembujt e suksesit kanë shërbyer edhe për mua. Kam qenë kurioze të mësoj në drejtësi. Vjosa Osmani ka qenë personi i parë që më ka prezantuar me fushën e të drejtës. Faktori tjetër është vendosshmëria që sfidat t’i shoh mundësi për t’i ballafaquar”.

Doarsa Kica-Xhelili, deputete VV-së, tha se pothuajse të gjitha gratë janë ballafaquar me diskriminim gjinor.

“Kur jam kthyer ka qenë presidentja më ka kyçur për të marrë pjesë në të drejtën komerciale. Lëvizja nga një avokate në deputete ka qenë e paparashikuar. Unë kam vlerësuar se ka diçka se mund të bëjë si deputete. Mendoj që  aspekte profesionale dhe përfaqësime e kanë trasi rrugën për ne të tjerë për tu ngritur në karrierë të grave për barazi gjinore”.

“Ngritja e barazisë gjinore ngrit edhe sistemin e drejtësisë. Të gjitha partitë kanë vendosur për të zbatuar 50% e kuotës në kuvend. Në aspektin e drejtësisë komerciale vlerësoj se secila nga ne jemi ballafaquar me diskriminim gjinor”.

Arjeta Sadiku, anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se përvoja në ShBA i ka shërbyer që të vazhdojë rrugën në Kosovë , raporton EO.

“Si avokate dhe pastaj si bashkëpunëtorë profesionale kam takuar gjyqtare të suksesshme të Evropës që kanë shërbyer në vendin tonë. Përvoja në ShBA ka shërbyer që të vazhdojë rrugën time në Kosovë kështu që kthimi ka qenë plotësisht ndryshe”.

“Nuk jam mjaftuar me kaq dhe tani që jam anëtare e këshillit jam e lumtur edhe në aspektin gjinor, tani Këshilli përfaqësohet me 4 femra”.

Albina Shabani-Rama, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, tha se e gëzon fati që gratë kanë marrë pozita udhëheqëse në institucione të ndryshme.

“Më gëzon fakti që institucionet udhëhiqen nga gratë. Kjo do të thotë që roli i grave dëgjohet çdo kund. Vetë prania e grave në sistem gjyqësor do të thotë që është i larmishëm”.

Të ngjashme