Piraj: Marrëveshja e CEFTA-s s’po zbatohet nga vendet e rajonit, Kosovës po i vendosin barriera jotarifore

Prishtinë | 03 Qer 2022 | 09:05 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pronari i “Meka Halal Food”, Burim Piraj, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se që nga fillimi i marrëveshjes së CEFTA-s, me përjashtim të Shqipërisë, sjo nuk është zbatuar nga vendet e tjera të rajonit.

Ndonëse të njëjtën marrëveshje Kosova e ka zbatuar në përpikëri, Piraj thotë se të gjitha vendet e tjera i kanë vendosur Kosovës barriera të ndryshme jo tarifore të cilat përherë ia kanë pamundësuar të bëjë eksportin e produkteve.

Madje, ai  foli edhe për Qeverinë, duke theksuar se ka bërë disa përmirësime duke hequr taksa të lëndës së parë.

“Prej fillimit nuk është zbatuar në përpikmëri marrëveshja e CEFTA-s. Kosova i ka zbatuar të gjitha aktet e marrëveshjes. Ndërsa të gjitha vendet që e rrethojnë Kosovën përveç Shqipërisë i kanë vendosur Kosovës barriera të ndryshme jo tarifore të cilat përherë ia kanë pamundësuar të bëjë eksportin e produkteve kundrejt këtyre vendeve. Ajo ka qenë marrëveshja e padrejtë që ne si biznese kurrë nuk e kemi përkrah dhe kemi menduar se duhet të bëhen ndryshime mirëpo Kosova ka qenë në vend të vetin e anashkaluar dhe prodhuesit vendor në vend se të kthehen të favorizuar në fakt kanë qenë të disfavorizuar. Ka bërë disa përmisime qeveria aktuale të lëndës së parë ku i ka hequr disa taksa. Prapë sektori privat sidomos ndërmarrjet e vogla që importojnë e kanë me taksë”, tha Piraj.

Mes tjerash, ai tha se inflacioni është jashtëzakonisht i papërballueshëm.

Piraj shtoi se si kompani kanë marrë të gjitha masat që të mos ndodhë largimi i punëtorëve nga puna duke e rritur pagën minimale në 400 euro.

“Inflacioni është jashtëzakonisht shumë i madh dhe i papërballueshëm. Lënda e parë ka pasur rritje enorme të çmimeve mirëpo tani ka filluar të jenë të njëjta. Kjo ka ndikuar në rënien e fitimeve të kompanive. Nga ana tjetër ka një zhvillim tjetër pozitiv se rritja e çmimeve të produkteve internacionale kanë iniciuar zhvillim të mirë të ekonomisë vendore dhe produktet vendore ku po shihen si konkurruese në treg dhe po rritet shitja. Nuk e shohim si problem ikjen e punëtorëve nga puna. Si kompani i kemi marrë të gjitha masat që të mos ndodhë që punëtorët ta lëshojnë punën dhe e kemi bërë pagën minimale 400 euro”, tha ai.

Në fund, si anëtar i grupit “Besa Besë”, ka ndarë mirënjohje për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online e cila e ka përkrahur në vazhdimësi, duke bërë që popullata të mos konsumojë prodhime serbe, tha Piraj.

Serbia mbetet kërcënim për Kosovën theksoi Piraj duke bërë apel që të mos e ndihmojmë në asnjë mënyrë me paratë tona.

“Ne si grup “Besa-Besë” sot kemi ndarë mirënjohje për Ekonomia Online. Një kompani e cila ka merituar për arsye se na ka përkrahur që nga fillimi. Ne kur i kemi pasur 5000 anëtarë më kujtohet se kemi pasur intervistë nga Ekonomia Online dhe prej agjencive të para ka qenë e cila i ka dhënë shtytje grupit tonë për të mos konsumuar prodhime serbe. Dhe sot që i kemi mbi 57 mijë anëtarë prapë e kemi përkrahjen e Ekonomia Online dhe shpresojmë ta kemi edhe në të ardhmen dhe bëjmë apel edhe të agjenci të tjera që ta përkrahin grupin tonë që ta vetëdijsojmë qytetarin e Kosovës se blerja e produkteve serbe nuk i8 shkon në favor të sigurisë së popullatës në Kosovë. Serbia mbetet kërcënim për Kosovën prandaj ne të mos bëhemi shkaktar dhe mos ta ndihmojmë në asnjë mënyrë me paratë tona”, ka thënë Piraj në fund.

Të ngjashme