Qeveria kërkon nga BE t’i bëjë presion UNMIK-ut të tërhiqet nga përfaqësimi në CEFTA

Prishtinë | 06 Nën 2017 | 09:36 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria ka kërkuar nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë që mos të përfaqësohemi në CEFTA përmes UNMIK-ut. Kërkesë kjo që sipas ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani është bërë me qëllim që Kosova të përfaqësohet si shtet.

Hasani në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se do të ishte mirë që vet UNMIK të ishte tërhequr nga përfaqësimi në këtë mekanizëm, por pasi që nuk ka ndodhur një gjë e tillë qeveria do të përdor të gjitha mënyrat që të përfaqësohet si shtet.

“Ne kemi kërkuar edhe nëpërmjet zyrës së BE-së që të i bëjë presion UNMIK-ut, kemi kërkuar nga të gjithë faktorët ndërkombëtar relevant që të tërhiqet nga preambula e UNMIK-ut sepse me sa di unë është i vetmi institucion ndërkombëtar që e përfaqësohemi si UNMIK”.

“Ne besojmë që këtë çështje të trajtojmë, është një mënyrë që të tërhiqen ndoshta edhe vet UNMIK-u nga ky përfaqësim që t’i jepet mundësi Kosovës si shtet por në të kundërtën mundemi edhe që të kërkojmë nga të gjithë anëtarët që bëjnë pjesë në CEFTA që ta njohin Kosovën që të përfaqësohet si shtet”.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, ka njoftuar se më 23 të këtij muaji do të ketë një takim në Beograd, ku janë prezent edhe anëtarët e CEFTA-s dhe do të diskutohet për këtë temë, raporton EO.

“Më 23 të këtij muaji kemi një takim që do të jenë anëtarët e CEFTA-s në Beograd dhe besojmë që këto çështje duhet ti ngrisim ose të kërkojmë drejtpërsëdrejti”.

Të shtunën në një vizitë që kryeministri Ramush Haradinaj, i bëri kësaj ministrie tha se ende nuk ka marrë vendim a do të vazhdojë Kosova të jetë pjesë e marrëveshjes së CEFTA-s.

“Është më shumë sesa kaq, më shumë sesa temë vetëm e ministrisë dhe odës së afaristëve, është temë nacionale në planin e jashtëm se si i qasemi ne mekanizmave ndërkombëtar, nuk kemi një qëndrim final ende dhe do ta diskutojmë edhe pak qasjen tonë ndaj CEFTA-s dhe mënyrën e përfaqësimit tonë atje, kjo është e trashëguar nga koha e UNMIK-ut dhe tani duhet me kaluar në një etapë të re por nuk po ngutemi me thanë se si do të veprojmë”.

Kosova u bë anëtare fuqiplotë e CEFTA-s në korrik 2007. Marrëveshja për anëtarësim u nënshkrua nga UNMIK-u në emër të Kosovës. Edhe më tutje Kosova përfaqësohet në CEFTA përmes UNMIK-ut.

Më 2008 institucionet kosovare ndërruan edhe vulat doganore, nga Doganat e UNMIK-ut në Doganat e Kosovës. Ndërrimi i vulave shërbeu si shkak për Serbinë dhe Bosnjë për të bllokuar eksportin e mallrave kosovare në këto dy shtete.  Që nga 4 dhjetori 2008, kompanitë kosovare nuk mund të eksportojnë në këto dy vende.

Me qëllim të lehtësimit të procedurave për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE), vendet e Evropës Qendrore, Polonia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia, më 1992, formuan Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA).

Marrëveshja e CEFTA-s u bazua në konceptin e ekonomisë së tregut, pasi që shtetet anëtare mendonin se zhvillimi i mëtutjeshëm ekonomik mund të arrihet vetëm përmes promovimit të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së shëndoshë.

 

Të ngjashme