Qytetarët kërkojnë t’u lejohet tërheqja e parave nga Trusti, ekspertët skeptikë

Prishtinë | 19 Pri 2022 | 08:54 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti dalë hapur se është kundër tërheqjes së një pjese të parave nga Trusti, duke thënë se kjo nuk e zgjedh problemin e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

Këtë deklaratë të Kurtit njohësi i ekonomisë, Erton Bega po e konsideron “të mençur”, pasi sipas tij, do të kishte pasoja në gjeneratat e ardhshme e do të dëmtohej edhe pleqëria e personave kontributpagues.

Bega për Ekonomia Online po të lejohej tërheqja e mjeteve do të kishte një kundër efekt e do të pasonte me ngritje të çmimeve edhe më tej.

“Tërheqja e Fondeve Pensionale në këtë moment kur ekonomia po ballafaqohet me ngritje të lartë të çmimeve do të kishte kundër efekt në ekonomi, pasi që do të ndikonte në rritjen e çmimeve edhe më tej. Prandaj komenti i Kryeministrit mund të vlerësohet si një koment i duhur në një moment të duhur pasi që janë dy situata të ndryshme nëse krahasohet momenti i tanishëm që propozohet tërheqja nga trusti dhe momenti kur u propozua në kohën e pandemisë”.

“Atëherë kishim mungesë të qarkullimit parasë në treg dhe duhet të mbulohej kjo hapësirë duke shtuar para dhe u gjet një formë përmes trustit. Sot të veprohet njëjtë kur rrethanat janë të ndryshme edhe efekti do të jetë i kundërt. Do të ishte vendim i mençur që të mos prekeshin kursimet pensionale të qytetarëve sepse kjo do të shkaktonte pasoja për gjenerata të ardhshme dhe njëkohësisht do të dëmtonte pleqërinë e personave kontribut pagues në trust pensional”, tha Bega.

Kurse ish-dekani i Fakultetit Ekonomik, Musa Limani, thotë se Qeveria duhet ta lejojë shfrytëzimin e një sasie të hollash nga Trusti.

Sipas tij, mjetet e Trustit nuk janë fond i përbashkët por janë kursime individuale, prandaj askush nuk ka të drejtë e po ashtu edhe Qeveria që t’i ndalojë kursimtarët që t’i shfrytëzojnë mjetet e tyre në këtë situatë krize.

“Vendimet që i merr Qeveria janë vendime të pavarura dhe janë në kompetencat e tyre prandaj Qeveria merr vendim si t’a shohin të arsyeshme pavarësisht prej reagimeve të personave ose strukturave të ndryshme. Duke marr parasysh nivelin e lartë të çmimeve dhe të ulët të të ardhurave unë mendojë se është një vendim jo i mirë, nuk përkon me çështjen sociale në të cilën ndodhet popullata e Kosovës, normalisht nuk i përgjigjet situatës së rëndë sociale dhe ekonomike me të cilën ballafaqohet popullata”.

“Mund të them se mjetet e trustit nuk janë fond i përbashkët por janë kursime individuale, prandaj mendoj se si nga aspekti ekonomik ashtu moral dhe social nuk ka askush të drejtë e po ashtu edhe Qeveria që t’i ndalojë kursimtarët që t’i shfrytëzojnë mjetet e tyre në këtë situatë krize. Qeveria me marrjen e këtij vendimi është dashur të jap sqarime dhe normalisht te gjej një alternativë për zgjidhjen e problemit momental”.

Edhe qytetarët kanë mendime të ndryshme për tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Edis Pllana, për EO tha se duhet të tërhiqen paratë nga Trusti për t’iu ndihmuar qytetarëve në këtë kohë krize.

“Unë jam pensionist qe 2-3 vite, disa ekonomistë profesor të ekonomisë e kanë thënë se nuk është e nevojshme me tërheqje, po populli ka nevojë. Besoj që duhet me i tërheq, është mirë me tërheq me i ndihmu se krizë e madhe. Kanë shkuar artikujt ushqimor në rritje me rroga 200 euro e 250 euro, pension 200 euro kjo është tmerr”.

Edhe një qytetar tjetër thotë se në këtë kohë krize popullit i duhen paratë.

“Mendoj që me heq 30% e Trustit. Po ju vyen popullit paratë, krizë ekonomike është”.

Kurse Dalip Beiqi e konsideron të padrejtë tërheqjen e parave nga Trusti, pasi sipas tij, nuk është e drejtë pasi dikush mundet të përfitoj e dikush tjetër jo.

“Nuk është e drejtë edhe me i tërheq, dikush që nuk ka trust çka me bë ata. Ata po deshka me u varë prej trustit. Ka shumë që nuk kanë trust. Dikush me përfitu e dikush jo, jo”.

“Ne asnjëherë nuk jemi të kënaqur, me ngrit pak jo nuk ka bë mirë, me bë 200 jo mirë. Domethënë asnjëherë, ne jemi të pakënaqur. Trusti deri tash 22 vite nuk është tërheq, tani duhet me u tërheq, trusti le të rrin aty ku është”.

Të ngjashme