Rizvanolli: Brenda tre vjetësh planifikohet prodhimi i 500 MW nga energjia e ripërtëritshme

Prishtinë | 07 Qer 2022 | 12:12 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se brenda tre vjetësh do të arrihet kapacitet deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për medie të martën, Ajo ka thënë se deri në finalizimin e Strategjisë për Energjisë është bërë punë e gjatë nga një grup i madh ekspertësh.

Sipas saj, procesin e konsultimit paraprak para fillimit të draftimit të strategjisë e kanë filluar një vit më parë dhe në tetor është krijuar grupi punues.

Rizvanolli ka thënë se analizat teknike janë bërë nga një grup i ekspertëve të pavarur.

“Angazhimi i këtyre ekspertëve është bërë me përkrahje të USAID-it. Qeveria e Kosovës e ka mbajtur pronësinë dhe vendimmarrjen gjatë këtij procesi. Gjatë zhvillimit të strategjisë ka pasur dialog me të gjitha palët por edhe me ekspertë. Janë mbajtur dhjetëra takime me ekspertë, OJQ, biznese, organizata ndërkombëtare. Ka pasur shumë ide për rrugën që duhet ndjekur, por pika ku do të arrijmë ka qenë e qartë nga fillimi”, ka thënë ajo.

Rizvanolli ka thënë se ka qenë shumë e rëndësishme që strategjia të jetë e balancuar sa u përket ideve dhe kritikave të ekspertëve të ndryshëm te sektorit.

Ajo ka thënë se kjo strategji paraqet rrugën e re nëpër të cilën Kosova do të ecë për ta bërë sistemin energjetik më të pastër, më të besueshëm e më të decentralizuar.

Sipas saj, në këtë strategji janë dhënë zgjidhje të reja. Ajo ka thënë se integrimi i tregut me Republikën e Shqipërisë është prioritet për Kosovën.

“Qeveria është e përkushtuar të aplikojë qasje të re të planifikimit për të adresuar sfidat aktuale dhe për të vendosur themelin për një të ardhme të sektorit energjetik të vendit. Siguria e furnizimit do të forcohet duke i bërë kapacitetet ekzistuese më të besueshme dhe më të pastra për ambientin. Një njësi e Termocentralit Kosova A do të rivitalizohet dhe për këtë procedurat do të fillojnë sa më shpejtë që është e mundur. Do të punohet intensivisht për të ndërtuar kapacitete të reja me burime të ripërtwritshme të energjisë nga dielli dhe era”, ka thënë ajo.

Tha po ashtu se Qeveria është e përkushtuar që transformimi i sektorit energjetik të bëhet duke pasur drejtësi sociale.

E për marrëveshjen që pritet të nënshkruhet mes Kosovës dhe Serbisë për energjinë në veri, ka thënë se parashihet realizimi i marrëveshjes së Brukselit të vitit 2015 dhe konkluzioneve që i kanë paraprirë asaj. Sipas saj, ajo marrëveshje lejon që të fillojë faturimi brenda disa muajve në veri të Kosovës.

Rizvanolli ka thënë se çështja e faturave do të zgjidhet sa më shpejtë që është e mundur.

Të ngjashme