Shqiptarët më të gatëshmit të paguajnë taksa

Prishtinë | 05 Jan 2019 | 11:26 | Nga Ekonomia Online

Një studim i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rezultatet e të cilit pritet të publikohen në muajin mars, e rendisin Kosovën të parën në rajon me dëshirën për të paguar taksa për investime publike, në drejtim të arsimit, shëndetësisë dhe të mirave të tjera publike.

Ndërkohë që Shqipëria renditet e dyta, ndërsa Maqedonia e fundit.

Në vend të parë në nivel global është Gjermania, me një notë në 7. Pyetja ekzakte në këtë anketim është: “nga 1-10, sa i pranoni ju taksat dhe kontributet për të financuar të mirat publike?”.

Kështu që rezultatet paraprake tregojnë se, me një vlerësim nga 1 në 10, ku numri 1 shpreh pakënaqësi dhe numri 10 pranim të plotë të sistemit tatimor, Kosova vlerësohet me notën 5.6, ndërsa Shqipëria me notën 4.5, Serbia 4.1, Mali i Zi 3.9 dhe Maqedonia me notën 3.2, shkruan sot Koha Ditore.

Pavarësisht se është një normë e ulët në krahasim me vendet e zhvilluara, si Gjermania apo Austria, Kosova ka rezultatin e parë më të mirë në rajon dhe pas saj renditet Shqipëria.

Kjo do të thotë se në Ballkan shqiptarët janë ata më të gatshmit për të paguar taksat e tyre, një detyrim i pashmangshëm për çdo shoqëri, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet mbarëvajtja e shërbimeve publike.

E sidomos dy më të rëndësishmet: arsimi dhe shëndetësia. Këta dy sektorë janë element përplasjesh në vende të ndryshme të globit sa u përket politikave qeveritare dhe taksave.

Edhe në Shqipëri, por edhe në Kosovë, kohët e fundit, çështja e taksave për sektorët prioritarë është kthyer në qendër të vëmendjes gjatë kohëve të fundit, nxitur kryesisht nga protestat e studentëve në Shqipëri dhe ato të sektorit të shëndetësisë në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme