Shtrenjtimi i synuar i policave të sigurimeve në kundërshtim me politikat e konkurrencës

Prishtinë | 30 Gus 2019 | 08:02 | Nga Ekonomia Online

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) është duke punuar në fshehtësi, në funksion të lejimit të kompanive të sigurimit për t’i shtrenjtuar tarifat deri në 33 për qind krahasuar me çmimin e tashëm.

Por, Autoriteti i Konkurrencës (AKK) është duke hetuar nëse formula e rritjes që synohet, bie ose jo ndesh me politikat e konkurrencës, shkruan sot Koha Ditore.

Hetimin fillimisht e kishte nisur AKK-ja, ndërkaq më pas BQK-ja, si rregullatori i tregut të sigurimeve, kishte kërkuar një mendim nga ky institucion, në lidhje me tarifat e reja të propozuara.

Etrit Tetova, shef i Divizionit të analizës, metodologjisë dhe të drejtave ekskluzive në AKK, ia ka konfirmuar këtë gazetës.

“Autoriteti i Konkurrencës është duke e monitoruar/hetim paraprak tregun e sigurimeve rreth zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në këtë industri dhe njëherazi kemi pranuar nga rregullatori i këtij tregu (BQK) një kërkesë për dhënie të mendimit profesional/opinion, për shqyrtimin e çështjes së ndryshimit të tarifave për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia. Jemi duke vlerësuar nëse këto veprime mund të bien ndesh me politikat e konkurrencës”, i ka thënë gazetës Tetova. “Jemi në kontakt edhe me operatorët ekonomikë, agjentët e kompanive të sigurimeve dhe palët e interesuar për çdo zhvillim në tregun përkatës”.

Qysh në korrik, gazeta pati raportuar se kompanitë e sigurimeve kanë ndërmarrë iniciativën për t’i rritur çmimet e sigurimit të automjeteve, në emër të detyrimeve financiare që u janë shtuar si pasojë e bankrotimit të kompanisë “Insig”.

BQK-ja është institucioni që miraton ose jo rritjen. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme