Tatimet në produkte vjet përbënin 64% të të hyrave të Qeverisë së Kosovës

Prishtinë | 01 Qer 2020 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Llogaritë qeveritare të Kosovës për vitin 2019. Ky publikim paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe.

Të hyrat e përgjithshme të Qeverisë në vitin 2019 ishin 2 220.9 milionë euro, thuhet në komunikatën e ASK-së. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, që paraqesin 64% të totalit të të hyrave; tatimet rrjedhëse në të ardhura, pasuri, etj. 13%; dhe pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.

Në vitin 2019, totali i shpenzimeve të Qeverisë ishte 2 151.6 milionë euro. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë pagat dhe mëditjet me pjesëmarrje 29%; kontributet sociale dhe përfitimet, me pjesëmarrje 25%; formimi i bruto kapitalit fiks me pjesëmarrje 23%; konsumi i ndërmjetëm me pjesëmarrje prej 12%, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve.

Ky publikim është përgatitur në përputhje të plotë me Udhëzuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Statistikat e Financave Qeveritare (GFSM 2014) dhe sipas Sistemit të Llogarive Evropiane (ESA 2010).

Për më shumë informata lidhur me Llogaritë qeveritare të Kosovës 2019, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/ekonomi/llogarite-qeveritare

Të ngjashme