“Trepça” i ka borxh KPMM-së 12 milionë Euro

Prishtinë | 23 Pri 2019 | 14:16 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Ramiz Krasniqi, ka treguar se “Trepça” ia ka borxh KPMM-së 12 milionë euro borxh.

“Trepça ia ka borxh KPMM-së 12 milionë euro borxh, kur ajo të punojë me një stabilitet ekonomik, ata borxhe do të duhet të paguhen ndaj KPMM-së”, tha Krasniqi, në emisionin “Ekonomiks” në RTK.

Kreu i KPMM-së tha se me ndryshimin e statutit, “Trepçës” do t’i jepet licencë afatgjate.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka për detyrë të lëshojë dhe të administrojë të gjitha lejet dhe licencat për shfrytëzimin minerar, të kryejë mbikëqyrjen teknike të instalimeve minerare dhe të impianteve, si dhe të përpilojë rregulloret ligjore, të sigurisë dhe shëndetit në vendet e punës.

Me qëllim që të këshillojë investitorët, KPMM bën vlerësimet e burimeve gjeologjike, këshillon investitorët për zonat potenciale të interesit dhe ofron informata për shërbime të orientuara për ndonjë çështje që ka lidhje me interes në botën e shfrytëzimit minerar.

Krasniqi ka bërë me dije se janë 766 ndërmarrje që kanë punë me KPMM-në.

Duke folur për pasuritë nëntokësore, Krasniqi tha se Kosova ka shumë pasuri nëntokësore. “Kosova është vend i vogël, por për rezervat e resurseve minerare janë të mëdha”, tha ai.

Sipas tij ndërmarrjet që marrin licenca në KPMM paguajnë renta që shkojnë në përqindje deri në 4.% të fitimit.

Ai bëri me dije se dy ndërmarrje që nxjerrin më shumë pasuri nëntokësore në Kosovë janë KEK dhe Ferronikeli.

Të ngjashme